Lidhje

Trump mban premtimin për tronditjen e Uashingtonit

  • Jim Malone

Gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar, kandidati Donald Trump premtoi që të ishte një forcë që do ta trondiste Uashingtonin nëse fitonte. Presidenti Trump e ka mbajtur fjalën, por publiku nuk është i një mendjeje nëse veprimet e tij ndihmojnë apo dëmtojnë të mirën e përgjithshme.

“Po vlerësohemi jashtëzakonisht për ato që po bëjmë”.

Presidenti Trump foli për arritjet e tij në një takim të kabinetit, pavarësisht se mbështetja ndaj tij nga publiku është më pak se 40 për qind.

Së fundmi, zoti Trump ndërmori hapa për të shfuqizuar pjesë të ligjit të ish-Presidentit Barack Obama për kujdesin shëndetësor dhe nuk pranoi të çertifikonte marrëveshjen bërthamore të Iranit në Kongres.

Këto lëvizje ishin të debatueshme, por zoti Trump ishte i vendosur të çonte në vend premtimin për të shkaktuar tërmet politik, thotë strategjisti republikan, John Feehery.

“Zgjedhja e Presidentit Trump ishte një refuzim i fortë i politikës tradicionale dhe ai vazhdon në këtë linjë. Presidenti Trump nuk luan sipas rregullave të zakonshme”.

Zoti Trump po nxitet nga ish-strategjisti i tij, Steve Bannon që të shkëputet nga udhëheqësit republikanë të Kongresit.

“Kjo nuk është lufta ime. Është lufta jonë. Dhe nuk e filluat ju. E filloi politika tradicionale”.

Por qëndrimi përçarës i zotit Trump ka shumë kritikë, përfshirë guvernatorin republikan të Ohajos, John Kasich and ish-nënpresidentin demokrat, Joe Biden.

“Kemi një president që nuk e kupton qeverisjen. Edhe sikur të harrosh politikat e tij për një moment, ai nuk kupton se si funksionon qeverisja”.

Prirja e presidentit për të sulmuar kritikët, përfshirë republikanë si senatorët Bob Corker dhe John McCain, veçse e largon vëmendjen nga temat e rëndësishme, thotë analisti Matthew Dallek, i universitetit “George Washington”.

“Ai e kalon një pjesë të konsiderueshme të presidencës, duke menduar se si do t’i sulmojë kritikët dhe pastaj i sulmon ata”.

Zoti Trump ka sulmuar në të kaluarën kreun e shumicës në Senat, Mitch McConnell por këtë javë të dy ata thanë se janë në të njëjtën linjë.

“Jemi plotësisht dakord për këtë program për të çuar Amerikën përpara”.

Programi përfshin reformën e taksave, një provë kyçe për republikanët, thotë analisti Bill Galston.

“Nëse arrijnë ta miratojnë reformën e taksave, atëherë do të jenë në një pozitë relativisht të mirë, ndërsa bëhen gati për zgjedhjet në mes të mandatit. Nëse jo, mendoj se nuk do të kenë shumë për t’u thënë votuesve të tyre dhe do të kenë pasoja”.

Megjithatë deri tani, republikanët nuk kanë rënë dakord për hollësitë e planit të tyre të taksave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG