Lidhje

Presidenti Trump udhëzon Mike Pompeon ta shtyjë vizitën në Phenian


Presidenti Donald Trump tha se ka udhëzuar sekretarin e shtetit Mike Pompeo që ta shtyjë një vizitë që kishte planifikuar për në Korenë e Veriut, me arsyen se përparimi i bërë për çnuklearizimin është i pamjaftueshëm.

Për këtë vendim të tijin zoti Trump fajësoi pjesërisht Pekinin, duke thënë se nuk beson që Kina është duke ndihmuar në përpjekjet për të frenuar Korenë e Veriut, për shkak të rritjes së presionit amerikan ndaj Pekinit për çështjet tregtare.

Të enjten, zoti Pompeo emëroi një ekzekutiv të lartë të kompanisë Ford si të dërguarin e tij të posaçëm për Korenë e Veriut dhe tha se të dy do ta bënin vizitën javën e ardhshme.

Por Presidenti Trump thotë se i ka kërkuar sekretarit Pompeo të mos shkojë tani në Korenë e Veriut, për shkak të përparimit të pamjaftueshëm për çnuklearizimin e gadishullit Korean.

Komentet e Presidentit vijnë pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, në një raport të sajin, ngrinte shqetësime për programin bërthamor të Phenianit.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë nuk pranuan të jepnin hollësi se çfarë e shtyu Presidentit Trump të anulonte vizitën e zotit Pompeo, apo se çfarë ka ndryshuar nga situata e mëparshme, kur përpjekjet e Koresë së Veriut vlerësoheshin si pozitive.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG