Lidhje

Trump: Presidenti kinez duhet të takohet personalisht me protestuesit në Hong Kong


Presidenti i SHBA Donald Trump tha të enjten se Presidenti kinez Xi Jinping duhet të takohet personalisht me protestuesit pro-demokracisë në Hong Kong për të zgjidhur çështjen e demonstrimeve 10 javëshe kundër kontrollit të këtij territori nga Pekini.

Udhëheqësi amerikan, automobilët e të cilit shpesh u shmangen vendeve ku ka protesta kundër tij, tha në Twitter se nëse Xi takohet me demonstruesit kryesisht të rinj, "problemi i Hong Kongut do të kishte një fund të lumtur. Nuk kam asnjë dyshim!"

Presidenti Trump tha: "Unë e njoh shumë mirë Presidentin Xi të Kinës. Ai është një udhëheqës i shkëlqyer që gëzon shumë respekt në popullin e tij. Ai është gjithashtu një njeri i mirë në një "punë të vështirë”. Unë kam ZERO dyshim se nëse Presidenti Xi dëshiron të zgjidhë shpejt dhe njerëzisht problemin e Hong Kongut, ai mund ta bëjë atë. Një takim personal?"

Qeveria kineze nuk ka dhënë asnjë shenjë se Xi planifikon të vizitojë Hong Kongun. Forcat kineze të sigurisë janë parë duke zhvilluar stërvitje në Kinën kontinentale, shumë pranë kufirit me Hong Kongun, megjithëse nuk ka pasur asnjë lëvizje trupash drejt Hong Kongut.

Ambasadori i Kinës në Londër, Liu Xiaoming, paralajmëroi të enjten se Pekini nuk do të "qëndrojë indiferent” për të parë rritjen e protestave. Ai tha se Pekini është gati të "shuajë trazirat shpejt" nëse kriza në Hong Kong bëhet "e pakontrollueshme".

USHTRIA KINEZE NË KUFI

Komente kundërthënëse dhe interpretime të ndryshme kanë qarkulluar lidhur me shqetësimet se ushtria kineze mund të dërgojë forca për të kontrolluar turmat e protestuesve në Hong Kong.

Tre zyrtarë të policisë së Hong Kongut shprehen se nuk kanë marrë sinjale për plane të ushtrisë kineze për t’iu bashkuar forcave policore, por shtojnë se nuk janë të sigurtë që do të njoftoheshin paraprakisht nëse ka plane të tilla. Zyrtarët folën për median e huaj në kushte anonimiteti.

Fotografi satelitore të mbledhura të hënën kanë kapur imazhe që po interpretohen si automjete ushtarake të blinduara që po transportojnë forca special kineze. Imazhet tregojnë makinat e parkuara në një kompleks sportiv në një qytet në kufi me Hong Kongun.

Policia në Hong Kong këmbëngul se është në gjendje të përballojë situatën që po precipiton në kaos më të thellë nga dita në ditë dhe është shoqëruar kohët e fundit me akte dhune.

Ditët e fundit zyrtarë të ndryshëm kinezë kanë bërë paralajmërime se Pekini nuk do të rrijë duarkryq nëse situata në Hong Kong keqësohet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG