Lidhje

Trump: Princi saudit mohon se ka dijeni për ngjarjet në konsullatë


Presidenti Trump tha të martën në Twitter se kishte folur në telefon me princin e kurorës të Arabisë Saudite, i cili, sipas tij, mohoi tërësisht se ka patur dijeni për atë që ka ndodhur në konsullatën saudite në Stamboll.

Komentet vijnë pas bisedimeve që Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo pati në Rijad me mbretin Salman dhe princin e kurorës Mohammed bin Salman - udhëheqësi de fakto i vendit - lidhur me zhdukjen e gazetarit Jamal Khashoggi, i cili dy javë më parë hyri në konsullatën sadite në Stamboll dhe nuk u pa të dilte prej andej.

Presidenti Trump tha se gjatë telefonatës, princi i cili ishte me Sekretarin Pompeo, e kishte njoftuar se kishte nisur një hetim të plotë rreth çështjes Khashoggi, hetim që do të zgjerohej shpejt.

Përgjigjet do të vijnë së shpejti, shkruante Presidenti Trump në Twitter.

Më pas ai tha për Televizionin Fox News se "do të ishte keq" nëse mbreti Salman ose princi i kurorës do të kishin dijeni për gazetarin e zhdukur Khashoggi. "Varet nëse mbreti ose princi i kurorës do të dinin për këtë, sipas mendimit tim. Së pari çfarë ndodhi, por (e rëndësishme) nëse ata kishin dijeni ose jo për këtë. Nëse e kanë ditur kjo të ishte keq," tha Presidenti Trump.

Të martën, kryediplomati amerikan i dërguar në Arabinë Saudite nga Presidenti Trump, u takua së pari me monarkun, pastaj me trashëgimtarin e fronit. Zoti Pompeo u takua edhe një herë të dytë me princin e kurorës gjatë darkës.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se diplomati i lartë i vendit ua bëri të qartë sauditëve se "të mësojë çfarë ka ndodhur me Jamal Khashoggin, kjo është arsyeja kryesore" që Presidenti Trump e dërgoi atë në Rijad dhe se kjo çështje "është me interes të madh për presidentin".

Sauditët kanë hedhur poshtë pretendimet e Turqisë se ishin agjentët e Arabisë Saudite që vranë Khashoggin brenda konsullatës më 2 tetor, por Departamenti i Shtetit nuk tha se çfarë i deklaruan Sekretarit Pompeo monarku dhe trashëgimtari i fronit në takimet private.

Pompeo, sipas Departamentit të Shtetit, u foli udhëheqësve sauditë për rëndësinë e kryerjes së "një hetimi të plotë, transparent dhe në kohë" dhe përshëndeti mbështetjen e Rijadit për hetuesit turq në hetimin e tyre.

Deri tani nuk ka patur deklarata për fatin e gazetarit të zhdukur Jamal Khashoggi, megjithëse sipas njoftimeve të mediave në SHBA, Arabia Saudite po përgatitet të pranojë se ai u vra pasi hyri në konsullatë, duke ia faturuar vdekjen marrjes së tij në pyetje që shkoi keq. Khashoggi, një kritik i princit të kurorës në shkrimet e tij për gazetën Washington Post, jetonte në Shtetet e Bashkuara në mërgim të vetimponuar.

Ndërsa uleshin për takimin e tyre të parë, princi i kurorës i tha në anglisht zotit Pompeo: "Ne jemi aleatë të fortë dhe të vjetër. Ne përballemi me sfidat tona së bashku, dje, sot dhe në të ardhmen.

"Absolutisht", u përgjigj sekretari Pompeo.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se zoti Pompeo u takua gjithashtu me Ministrin e Jashtëm saudit Adel al-Jubeir.

Vizita e zotit Pompeo në Rijad erdhi disa orë pasi ekspertët turq përfunduan kqyrjen e konsullatës saudite në Stamboll.

Pas bisedimeve me Mbretin Salman, Departamenti i Shtetit tha se zoti Pompeo "falënderoi mbretin për angazhimin e tij për të mbështetur një hetim të plotë, transparent dhe të shpejtë rreth zhdukjes së Khashoggit".

Presidenti Trump tha të hënën se mbreti Salman në një telefonatë me të mohoi të kishte ndonjë dijeni për fatin e Khashoggit, i cili në shkrimet e tij për gazetën Washington Post ishte kritik i trashëgimtarit të fronit saudit, princit të kurorës Mohammed bin Salman.

David Mack, studiues në Institutin për Lindjen e Mesme dhe ish ambasador, i tha Zërit të Amerikës se ajo për të cilën akuzohet Arabia Saudite do të ishte e vështirë të kalohej lehtë në Shtetet e Bashkuara, por do të ishte e mundur të kalohej pa u ndështuar në Arabinë Saudite, duke pasur parasysh kontrollin e saj të rreptë ndaj medias dhe disiplinën e imponuar nga familja mbretërore.

Khashoggi jetonte në mërgim të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara. Ai shkoi në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë dokumente për t’u martuar me të fejuarën e tij turke, Hatice Cengiz, e cila priste më kot jashtë konsullatën që ai të kthehej.

Presidenti Trump tha për progamin “60 Minutes” të rrjetit CBS se Arabia Saudite do të përballet me "ndëshkim të rëndë" nëse përcaktohet se Khashoggi u vra brenda konsullatës saudite, por Riad nuk e përfilli kërcënimin e SHBA dhe tha se do të hakmerret nëse Presidenti Trump ndërmerr ndonjë veprim kundër Arabisë Saudite .

Si protestë ndaj zhdukjes së Khashoggit, disa udhëheqës amerikanë të bizneseve janë tërhequr nga Iniciativa për Investimet e së Ardhmes, një konferencë e quajtur "Davosi i shkretëtirës", që mbahet javën tjetër në Rijad.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG