Lidhje

Presidenti sinjalizon se mund t'i vërë veton projekt-buxhetit


Presidenti Donald Trump thotë se mund t’i vërë veton një projekt-ligji të buxhetit prej 1.3 trilion dollarësh, sepse nuk ofron mbrojtje për imigrantët e rinj pa dokumente të cilët kanë mbërritur kur kanë qenë fëmijë dhe se nuk financon plotësisht murin kufitar me Meksikën.

Në një postim në Twitter sot në mëngjes, zoti Trump thotë se po shikon mundësinë e vetos bazuar në "faktin se 800 mijë e më shumë përfituesit e programit DACA janë braktisur plotësisht nga demokratët dhe se muri kufitar aq i nevojshëm për Mbrojtjen tonë Kombëtare, nuk është financuar plotësisht".

Më parë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se Presidenti Trump do ta nënshkruante paketën e shpenzimeve, gjë që do të shmangte mbylljen e mundshme të qeverisë.

Projektligji financon qeverinë federale deri më 30 shtator. Nëse zoti Trump nuk e nënshkruan, qeveria federale do të mbyllet në orën 12:01, mëngjesin e së shtunës.

Senati e miratoi ligjin me 65 vota pro dhe 32 kundër sot herët në mëngjes pas miratimit dje nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG