Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders thotë se Presidenti Donald Trump ka propozuar Shtëpinë e Bardhë si vendin ku mund të mbahet një takim i tij me Presidenti rus Vladimir Putin.
Ky sugjerim erdhi në një bisedë telefonike të 20 marsit në mes të dy udhëheqësve. Zoti Trump tha pas bisedës, se shpreson të takohet me zotin Putin në një të ardhme “jo fort të largët”. Të dyja palët thonë se nuk janë bërë plane të detajuara për takimin.
Zonja Sanders nuk dha informacione shtesë se ku mund të mbahet takimi.
"Tani për tani nuk kemi për të shtuar asgjë”, - u tha ajo gazetarëve.
Edhe ndihmësi i Kremlinit Yuri Ushakov tha se zoti Trump kishte hedhur idenë e bisedimeve me zotin Putin në Shtëpinë e Bardhë.
Veprimet e Presidentit Trump po ndiqen me kujdes, ndërsa prokurori special Robert Mueller po zhvillon një hetim mbi mundësinë e lidhjeve mes fushatës së tij presidenciale dhe Rusisë. Komuniteti i zbulimit në SHBA ka arritur në përfundimin se zoti Putin ka drejtuar një ndikim tek fushata e zotit Trump, në zgjedhjet e vitit 2016, që i sollën atij fitoren ndaj rivales Hillary Clinton.
Donald Trump thotë se nuk ka patur bashkëpunim mes fushtaës së tij dhe Rusisë.
Që nga biseda telefonike e 20 marsit, marrëdhëniet mes të dy vendeve janë bërë më të ndërlikuara, me dëbimin nga SHBA të 60 diplomatëve rusë dhe me urdhërin për mbylljen e konsulaltës ruse në Siatëll, si përgjigje për helmimin e ish spiunit rus Sergei Skripal në Britatani. Rusia mohon të ketë patur përgjegjësi për sulmin dhe iu përgjigj veprimit të Shteteve të Bashkuara me dëbim të diplomatëve amerikanë dhe mbylljen e konsullatës amerikane në Shën Peterburg.
Facebook Forum