Lidhje

Trump-Putin, Presidenti i SHBA ngre çështjen e ndërhyrjes në zgjedhje


Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se Presidenti Donald Trump e hapi takimin me Presidentin rus Vladimir Putin duke ngritur shqetësimet rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.

Ai u tha gazetarëve në një konferencë në Hamburg të Gjermanisë se Presidenti Trump nguli këmbë pranë zotit Putin për këtë çështje gjatë takimit që zgjati më shumë se dy orë në periferi të një samiti të udhëheqësve botërorë.

Sipas zotit Tillerson, Presidenti Putin mohoi ndonjë përfshirje në zgjedhjet amerikane, ndërkohë që rusët u kërkuan Shteteve të Bashkuara të paraqesin dëshmi dhe prova për ndërhyrjen e tyre të dyshuar në zgjedhjet e 2016-s, që Rusia e mohon.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Presidenti Trump nuk i pranoi mohimet ruse për ndërhyrje.

Zoti Tillerson tha se palët ranë dakord të vazhdojnë takimet. Kjo përfshin një grup të ri pune mbi sigurinë kibernetike dhe ndërhyrjen në zgjedhje.

Sekretari Tillerson tha se takimi ishte shumë konstruktiv dhe se dy udhëheqësit “u lidhën shumë shpejt'' me njëri-tjetrin.

Ai tha se Presidenti Trump dhe Presidenti rus Putin patën një shkëmbim mjaft të mirë për çështjen ''se si ta trajtojnë kërcënimin e Koresë së Veriut.”

Por ai shtoi se “rusët e shohin çështjen pak më ndryshe se ne.''

Diplomati më i lartë amerikan vuri në dukje se synimi përfundimtar i Rusisë pasqyron atë që dëshirojnë Shtetet e Bashkuara: heqjen e amëve bërthamore nga Gadishulli Korean.

Ai tha se dallimet janë te taktikat e përdorura për të arritur këtë qëllim, pa dhënë hëllësi të tjera.

Zoti Tillerson tha gjithashtu se, pavarësisht komenteve të fundit të Presidenti Trump në Twitter, SHBA nuk kanë hequr dorë nga shpresa se Kina do të ndihmojë për çështjen e Koresë së Veriut.

Sekretari i Shtetit tha gjithashtu se administrata Trump nuk sheh asnjë rol afatgjatë për familjen Asad dhe regjimin e Bashar Asadit në Siri.

Tillerson u tha gazetarëve në Hamburg se mënyra se si do të largohet presidenti sirian kjo “mbetet ende për t’u vendosur.” Por ai tha se mendon se do të ketë një tranzicion që do ta largojë qeverinë e Asadit.

MARRËVESHJE SHBA-RUSI PËR SIRINË

Tre zyrtarë amerikanë thanë të premten se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje armëpushimi në Sirinë jugperëndimore.

Komentet u bënë ndërkohë që presidenti Donald Trump mbante takimin e tij të parë me presidentin rus Vladimir Putin.

Marrëveshja shënon një nivel të ri të përfshirjes amerikane në përpjekjet për të zgjidhur luftën civile në Siri.

Ndonëse hollësitë rreth marrëveshjes dhe mënyra se si do të zbatohet ajo ende nuk janë bërë të ditura, armëpushimi do të hyjë në fuqi të dielën në mesditë në Damask, thanë zyrtarët, të cilët nuk ishin të autorizuar të diskutonin publikisht mbi armëpushimin.

Jordania dhe Izraeli janë gjithashtu pjesë e marrëveshjes, tha njëri nga zyrtarët. Të dy këta aleatë të SHBA kanë kufij të përbashkët me pjesën jugore të Sirisë dhe janë të shqetësuar se dhuna në luftën civile të Sirisë mund të përhapet përtej kufirit.

Armëpushimet e mëparshme në Siri kanë dështuar ose nuk kanë arritur ta ulin dhunën për shumë kohë. Nuk është e qartë nëse kjo marrëveshje do të ketë efekt më të mirë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG