Lidhje

Trump-Putin do të takohen në Finlandë më 16 korrik


Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin do të takohen në Helsinki të Finlandës më 16 korrik, njoftoi Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini.

Planet u finalizuan të mërkurën nga këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA, John Bolton, i cili mbajti takime të shumta në Moskë, duke përfshirë edhe një me Presidentin Putin.

Takimi i pritshëm mes dy presidentëve sinjalizon një afrim në rritje mes SHBA dhe Rusisë.

Presidenti Trump tha të mërkurën se të kesh marrëdhënie të mira me Rusinë dhe me Kinën si dhe me të gjithë është një gjë shumë e mirë. Ai tha se me Presidentin Putin do të diskutonin mbi Sirinë, Ukrainën dhe "shumë tema të tjera."

Pikërisht përpara se të njoftoheshin hollësitë e takimit të korrikut, zoti Trump komentoi në Twitter: "Rusia vazhdon të thotë se ata nuk kanë të bëjnë me ndërhyrjen në zgjedhjet tona."

Presidenti Trump e ka përsëritur vazhdimisht deklaratën e Rusisë se ajo nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

PRESIDENTI SULMON PËRSËRI PROKURORIN MUELLER

Ndërsa u njoftua data dhe vendi i takimit të nivelit të lartë mes presidentit Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, udhëheqësi amerikan vazhdoi të mohonte akuzat se Moska ndërhyri për zgjedhjen e tij në vitin 2016.

Presidenti Trump e ka hedhur poshtë hetimin e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për lidhjet e fushatës Trump me Rusinë si një "gjueti shtrigash", por sugjeroi në një koment të ri në Twitter se ai i pranon mohimet e Rusisë për ndërhyrje.

"Rusia vazhdon të thotë se nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet tona!" deklaroi presidenti Trump. https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1012295859072126977

Opinioni i Trump ishte në kundërshtim me një koment të mërkurën nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili tha se kur Trump dhe Putin do të takohen, presidenti Trump do të paralajmërojë liderin rus se është "krejtësisht e papranueshme" ndërhyrja në zgjedhjet amerikane.

Bisedimet e 16 korrikut midis dy liderëve në Helsinki do të jenë takimi i tyre i parë i plotë pas takimeve të shkurtra në kuadër të mbledhjeve ndërkombëtare. Takimi ndodh në një kohë të vështirë në marrëdhëniet Uashington-Moskë.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione kundër Rusisë për aneksimin e gadishullit të Krimesë nga Ukraina në vitin 2014. Ndërkohë, komuniteti i zbulimit amerikan arriti në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 për të ndihmuar zotin Trump të fitojë dhe prokurori Mueller tashmë ka paditur individët dhe entitetet ruse lidhur me një skemë për të ndikuar në zgjedhje.

Por, ndërsa u njoftua takimi i nivelit të lartë, presidenti Trump u hodh përsëri në sulm kundër prokurorit Mueller dhe hetimit të tij 13-mujor përmes një varg shkrimesh në Twitter, duke thënë në njërën prej tyre, "Nuk kishte bashkëpunim dhe nuk kishte asnjë pengesë drejtësie kur nuk ka patuar asnjë bashkëpunim” https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1012318771250384896

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Trump dhe presidenti Putin do të diskutojnë "një sërë çështjesh të sigurisë kombëtare". Kremlini tha se të dy udhëheqësit do të flasin për "gjendjen aktuale dhe perspektivat për zhvillimin e marrëdhënieve ruso-amerikane".

Takimi i nivelit të lartë Trump-Putin do të zhvillohet pas pjesëmarrjes së udhëheqësit amerikan në samitin e NATO-s në Bruksel më 11 dhe 12 korrik dhe takimit të 13 korrikut me Kryeministren britanike Theresa Maj dhe Mbretëreshën Elizabeth në Londër.

Megjithë sanksionet kundër Rusisë, madje edhe përballë kundërshtimit të aleatëve perëndimorë, presidenti Trump ka treguar një prirje për të nxitur marrëdhënie më mirë me Putinin. Ai sugjeroi në fillim të këtij muaji se Rusia duhet të ripranohet në grupin e G-7-ës pasi Moska u pezullua kur aneksoi Krimenë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG