Lidhje

Republikanët dhe takimi Trump - Putin


Ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump përgatitet të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin javën e ardhshme, ligjvënësit e partisë republikane të zotit Trumpit po japin opinione të ndryshme pas vizitës së tyre të fundit në Moskë. Ndërsa një senator amerikan bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara të heqin sanksionet kundër Rusisë, një tjetër e krahasoi marrëdhënien me Moskën si të merresh me mafian. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine, i hedh një vështrim ndryshimit të qëndrimeve mes shumë ligjvënësve në partinë republikane, të cilët tradicionalisht kanë ndjekur një vijë shumë të ashpër ndaj Rusisë, si një kundërshtar i Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa Presidenti Trump përgatitej të nisej për takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Bruksel dhe pastaj për një takim kokë më kokë me presidentin rus Vladimir Putin në Helsinki, ai u pyet thjesht: "A është Putini mik apo armiq?"

"Me të vërtetë nuk mund ta them këtë tani për tani. Por për mua, është një konkurrent".

Deklarata e presidentit i bëri jehonë gjuhës së përdorur javën e kaluar në Rusi nga senatori republikan Richard Shelby, i cili tha se grupi i tij ngriti të gjitha llojet e çështjeve të diskutueshme me rusët.

"Gjithashtu u thamë se edhe pse marrëdhëniet tona janë të tendosura, do të ishte më mirë për botën që ne të jemi konkurrentë, në vend që të jemi kundërshtarë, por do të duhet të shohim se çfarë do të ndodh".

Senatorë të tjerë republikanë thanë se kishin ngritur çështjen e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

"Mesazhi ynë për rusët ishte:" ne besojmë se ju ndërhytë në zgjedhjet tona. Mos e bëni këtë në 2018-ën dhe 2020-ën. Nëse doni që marrëdhënia jonë të përmirësohet, duhet të na tregoni se zgjedhjet tona janë jashtë kufijve të ndërhyrjes tuaj”, tha senatori Jerry Moran.

Por disa analistë thonë se ka shenja se pozita e republikanëve po bëhet gjithnjë e më pro-ruse dhe më mbështetëse ndaj presidentit, duke ndryshuar qëndrimin që ka mbajtur partia për disa dekada.

"Si rezultat, perspektiva e unifikuar, dypartiake që Kongresi ka pasur deri tani, se duhet të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë, nëse nuk shohim ndryshime në sjelljen ruse, mund të jetë lëkundur", thotë analisti Mark Simakovsky me organizatën Këshilli i Atlantikut.

Por ekspertët e tjerë nuk pajtohen, duke thënë se politika e Shteteve të Bashkuara dhe sanksionet e vendosura nga Kongresi janë më të ashpra sesa retorika e Trumpit.

"Unë do të thosha se në përgjithësi, Kongresi amerikan në mënyrë dypartiake mbetet shumë skeptik për çdo lloj rivendosje marrëdhëniesh miqërore me Rusinë".

Presidenti Trump u tha gazetarëve se takimi i tij me Putinin në Helsinki mund të jetë më i lehtë se sa takimet e tij me aleatët e Shteteve të Bashkuara në Bruksel dhe në Britani.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG