Lidhje

Rezistencë reklamave për punën e Pres. Trump


Një numër stacionesh televizive amerikane, ndër to rrjetet kombëtare ABC, CBS, NBC dhe CNN nuk kanë pranuar të transmetojnë reklama ku renditen dhe lavdërohen arritjet e Presidentit Trump gjatë 100 ditëve të para në Shtëpinë e Bardhë.

Reklamat shoqërohen me imazhe të gazetarëve të njohur televizivë, mbi fytyrat e të cilëve shfaqet fjalët “lajme të rreme”.

Kjo është një frazë shumë e njohur e Presidentit Trump, me të cilën ai sulmonte grupet mediatike që e kritikonin.

Rrjetet televizive që nuk kanë pranuar ta japin reklamën argumentojnë se mesazhi i saj nuk bazohet në fakte. CNN dhe NBC thanë se do ta transmetojnë reklamën nëse hiqet pjesa me gazetarët e identifikuar me shprehjen “lajme të rreme”.

Lara Trump, nusja e djalit të Presidentit Trump dhe konsulente për fushatën e tij, tha se refuzimi për ta transmetuar reklamën është një akt i pashembullt censure në Amerikë dhe duhet të shqetësojë çdo amerikan. Ajo akuzoi këto grupe mediatike se përqafojnë Amendamentin e Parë të Kushtetutës që mbron lirinë e fjalës, vetëm kur puqet me pikëpamjet e tyre politike.

Reklamat u realizuan nga komiteti i fushatës për Presidentin Trump, i cili ka shprehur synimet për të konkurruar përsëri në 2020.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG