Lidhje

Trump: Nuk jam i shqetësuar për procesin e shkarkimit


Presidenti amerikan Donald Trump i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se "nuk është i shqetësuar" në lidhje me mundësinë për nisjen e procedurave për ngritjen e akuzave me qëllim shkarkimin e tij.

Në një artikull të botuar të martën, që bazohet në një intervistë ekskluzive me presidentin, “Reuters” citon zotin Trump të thotë se "do të jetë e vështirë të ngrihen akuza për dikë që nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe që ka krijuar ekonominë më të madhe në historinë e vendit".

Demokratët e opozitës kanë ngritur çështjen e pagesave të bëra ndaj dy grave përpara zgjedhjeve të 2016 nga ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen. Sipas prokurorëve federalë ishte zoti Trump ai që urdhëroi kryerjen e pagesave.

Demokratët thonë se shumat e paguara ishin kontribute në kuadër të fushatës, në vlera shumë më të larta sesa kufijtë ligjorë dhe që nuk janë deklaruar siç duhet nga zyrtarët e fushatës së zotit Trump. Ligjvënësit demokratë thonë se një shkelje e tillë e ligjit elektoral e justifikon nisjen e procedurave për ngritjen e akuzave ndaj presidentit. Por udhëheqës të lartë të partisë kanë vënë në pikëpyetje nëse kjo gjë përbën një akt penal serioz të mjaftueshëm për ngritjen e akuzave politike dhe mbajtjen e seancave dëgjimore për shkarkimin e tij.

Zoti Trump i tha agjencisë “Reuters” se pagesat nuk ishin një kontribut për fushatën dhe se "kjo çështje nuk përbënte shkelje".

Procedurat për ngritjen e akuzave me qëllim shkarkimin e presidentit, do të kërkonin miratimin me shumicë të thjeshtë në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila pritet të kalojë nën kontrollin e demokratëve duke nisur nga muaji janar. Më pas do të kërkonte miratimin nga dy të tretat e shumicës së Senatit të udhëhequr nga republikanët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG