Lidhje

Trump thotë se ka patur rol në vendimin e vendeve arabe ndaj Katarit


Presidenti Donald Trump tha se ai kishte luajtur rol në vendimin që morën vendet arabe për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, për shkak të thënieve se Doha mbështet terrorizmin.

Zoti Trump komentoi të martën në Twitter se udhëheqësit e vendeve myslimane, me të cilët ai u takua gjatë vizitës së tij kohët e fundit në Arabinë Saudite, i kishin thënë se Katari është burim financimesh për terroristët.

Presidenti amerikan tha se “është diçka e mirë të shohësh që bisedimet e tij me mbretin Salman të Arabisë Saudite dhe me krerët e 50 vendeve myslimane për një front të përbashkët në luftën kundër terrorizmit janë duke patur rezultat. Ata thanë se do të mbajnë qëndrim të ashpër ndaj financuesve të terrorizmit, duke ju referuar Katarit. Ndoshta ky ka për të qenë fillimi i fundit të tmerrit të terrorizmit,”- thotë Presidenti Trump.

Këto komente zoti Trump i bëri një ditë pasi Arabia Saudite, Egjipti, Bahraini, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jemeni dhe Maldivet, i prenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar për mbështetje të terrorizmit, akuza që Doha i mohon.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG