Lidhje

Pres. Trump sulmon sërish hetimet mbi Rusinë


Presidenti Donald Trump sulmoi sërish dje hetimin ndaj Rusisë, të drejtuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, Presidenti Trump ndërmori hapin e pazakontë të bashkëbisedimit të lirë me gazetarët në oborrin e Shtëpisë së Bardhë.

Pati një furi mediatike dje jashtë Shtëpisë së Bardhë. Në epiqendër të saj ishte Presidenti Donald Trump.

“A mund të vazhdojmë me nga një pyetje, me radhë?”, u tha gazetarëve Presidenti Trump.

Presidenti sulmoi sërish hetimin ndaj Rusisë pasi u bë i ditur një raport kritik i inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë për hetimin e email-it të Hillary Clinton.

“Nuk kam bërë asgjë të gabuar. Nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë dhe pengim të drejtësisë. Inspektori i përgjithshëm sapo e provoi këtë gjë dhe unë mendoj se hetimi i Mueller-it është diskredituar plotësisht”, tha Presidenti Trump.

Por, raporti në fjalë shqyrton kryesisht mënyrën se si FBI-ja u mor me çështjen e emailit të zonjës Clinton.

Raporti kritikon ish-drejtorin e FBI-së James Comey, të shkarkuar nga Presidenti Trump, por hedh poshtë idenë se pati një aksion politik kundër Presidentit Trump.

“Raporti nuk zbuloi asnjë provë për anshmëri politike apo përqajse të papërshtatshme që do të ndikonin në këtë çështje hetimore”, deklaroi drejtori aktual i FBI-së, Christopher Wray.

Edhe demokratët i kushtuan vëmendje raportit.

“Kush shpreson ta përdorë këtë raport për të dëmtuar hetimin e Prokurorit Mueller, apo për të provuar se ekziston një konspiracion i ‘strukturave të fshehta shtetërore’ kundër Presidentit Trump, do të zhgënjehet thellë”, tha Senatori Chuck Schumer, udhëheqës i demokratëve.

Gjatë bashkëbisedimit të tij të gjatë me gazetarët, Presidenti Trump mbrojti gjithashtu takimin e tij me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un.

“Po përpiqen shumë, dhe tashmë do të përparojmë drejt çnuklearizimit. Marrëveshja thotë se do të ketë çnuklearizim të plotë, por askush nuk dëshiron të flasë për këtë gjë. Kalova shumë mirë me të. Patëm një shkëmbim të shkëlqyer. Kjo është gjë e mirë; nuk është diçka e keqe”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Trump sulmoi edhe opozitarët demokratë dhe u përpoq t’i fajësojë për veprimet e fundit të administratës që po ndan anëtarët e familjeve që kapen duke kaluar kufirin e SHBA-së.

“Demokratët ia imponuan këtë ligj vendit. E urrej këtë situatë. E urrej ndarjen e prindërve nga fëmijët”, tha Presidenti Trump.

Shumë demokratë në Kongres kritikuan rëndë komentet e Presidentit Trump.

“Nuk kanë asnjë mënyrë mbrojtjeje ligjore apo politike të veprimeve që po ndërmarrin duke ndarë familjet dhe duke ua marrë fëmijët nënave dhe baballarëve në kufi. Është thjesht një tjetër tregues se ata nuk munden të qeverisin”, tha Ligjvënësja demokrate, Michelle Lujan Grisham.

Bashkëbisedimi i gjatë i Presidentit Trump dje me mediat ishte i pazakontë për një president që zakonisht shfaqet në kanalin Fox News dhe që pranon t’u përgjigjet fare pak pyetjeve gjatë konferencave për shtyp.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG