Lidhje

Trump, Putin planifikojnë bisedë telefonike për të shtunën


Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin pritet të zhvillojnë nesër një bisedë telefonike. Ky do të jetë kontakti i parë mes tyre që kur Donald Trumpi u bë president i Shteteve të Bashkuara. Por ata kanë folur me njëri-tjetrin më parë, kur biseduan në nëntor pas fitores së zotit Trump në zgjedhje.

Dy udhëheqësit kanë shprehur dëshirën për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve, pasi folën në nëntor.

Udhëheqësi amerikan tha se dëshiron një marrëdhënie më të mirë me Rusinë dhe Presidentin Putin, se sa para-ardhësi i tij, Barak Obama. Zoti Trump ka përmendur mundësinë e heqjes së sanksioneve që i ka vënë Rusisë administrata Obama.

Kritikët e zotit Trump shprehin dilema për këtë marrëdhënie me Putinin. Ish-kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton ka thënë se Donald Trumpi ishte “kukulla e Putinit,” ndërsa shërbimet amerikane të zbulimit, siç njoftohet, e kanë informuar presidentin e ri mbi ndërhyrjet ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane në favor të tij.

Presidenti Trump i ka hedhur poshtë aludimet se fitoi në zgjedhje falë ndihmës së Rusisë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG