Lidhje

SHBA dëbojnë 60 rusë të dyshuar si agjentë


Ambasada e Rusisë në Uashington
Ambasada e Rusisë në Uashington

Shtetet e Bashkuara urdhëruan sot 60 diplomatë rusë të akuzuar si agjentë të largohen nga vendi brenda një jave. Vendimi merret si kundërpërgjigje, e koordinuar me aleatë të tjerë të NATO-s, ndaj helmimit më 4 mars me lëndë nervore të një ish-agjenti të dyfishtë rus dhe vajzës së tij në Salisbury të Britanisë.

Sipas Departamentit të Shtetit, vendimi amerikan, së bashku me mbylljen e një konsullate ruse në vend, ndërmerret si kundërpërgjigje ndaj "shkeljes flagrante të Konventës së Armëve Kimike dhe shkeljes së të drejtës ndërkombëtare" nga Moska.

Rusia po u “bie daulleve me veprimeve destabilizuese dhe agresive", tha një zyrtar i lartë amerikan, duke shpjeguar vendimin e Shtëpisë së Bardhë.

Shtetet e Bashkuara po urdhërojnë mbylljen, deri më 2 prill, të konsullatës së Rusisë në qytetin port Seattle në shtetin Uashington, duke vënë në dukje afërsinë e tij me uzinën e avionëve Boeing dhe bazën detare Kitsap, ku janë vendosur nëndetëse bërthamore amerikane.

Konsullata është "pjesë e këtij problemi më të gjerë që lidhet me një numër të papranueshëm operativësh rusë në Shtetet e Bashkuara”, u tha një zyrtar i lartë i administratës gazetarëve." “Jemi gati të ndërmarrim hapa shtesë nëse është e nevojshme", tha zyrtari.

"Shtetet e Bashkuara e marrin këtë veprim në bashkëpunim me aleatët dhe partnerët e NATO-s anembanë botës në përgjigje të përdorimit nga Rusia të një arme ushtarake kimike në territorin e Mbretërisë së Bashkuar,” tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders në një deklaratë. Ky, tha zonja Sanders, është një tjetër hap i Rusisë në modelin e saj të vazhdueshëm të aktiviteteve destabilizuese në mbarë botën."

Ajo tha se "Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bashkëpunojnë për të ndërtuar një marrëdhënie më të mirë me Rusinë, por kjo mund të ndodhë vetëm me një ndryshim në sjelljen e qeverisë ruse".

Presidenti Donald Trump, i cili foli në telefon me Presidentin rus Vladimir Putin të martën e kaluar, ishte i përfshirë në diskutimet për dëbimin e diplomatëve, thanë zyrtarët.

"Ky është absolutisht vendim i tij", theksoi një zyrtar i lartë amerikan në komentet për gazetarët.

Presidenti Trump nuk i telefonoi Presidentit rus Vladimir Putin për ta informuar rreth dëbimit, por kjo iu komunikua ambasadorit rus Anatoly Antonov nga Departamenti i Shtetit, thanë zyrtarët

Urdhri i dëbimit vlen për 48 rusë në ambasadën dhe konsullatat në Shtetet e Bashkuara si dhe 12 persona në misionin e Moskës në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Sipas një zyrtari të lartë amerikan, ky mision , "ka abuzuar me privilegjin e rezidencës në Nju Jork".

"Veprimet tona janë në përputhje me Marrëveshjen për Selinë e Kombeve të Bashkuara," tha ambasadorja e SHBA në OKB Nikki Haley në një deklaratë.

Të gjithë ata që po dëbohen konsiderohen si agjentë që "fshihen prapa fasadës së imunitetit diplomatik ndërkohë që angazhohen në aktivitete spiunazhi", tha një zyrtar i lartë i administratës.

Nëse Rusia hakmerret kundër Shteteve të Bashkuara për dëbimet, Uashingtoni mund të ndërmarrë veprime të mëtejshme, tha zyrtari, duke lënë të kuptohet se disa nga dhjetra agjentët e tjerë të dyshuar të lejuar të qëndrojnë në SHBA mund të përballen me veprime të ngjashme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG