Lidhje

Trump: nuk ka patur bashkëpunim me rusët gjatë fushatës


Presidenti amerikan Donald Trump këmbënguli se nuk kishte pasur “bashkëpunim të fshehtë” mes fushatës së tij dhe qeverisë ruse. Ai i bëri komentet në një intervistë me gazetarin e NBC-së, Lester Holt dje.

Presidenti Trump që e shkarkoi papritur drejtorin e FBI-së James Comey në fillim të javës, tha se FBI ishte e “zhytur në amulli.”

Ai do që të bjerë në sy. Është pompoz, kërkon të duket. FBI-ja ka qenë e përfshirë në amulli prej tij. Ju e dini, unë e di. Të gjithë e dinë. Po ta shohësh FBI-në para një viti, ishte praktikisht e zhytur në konfuzion. Dhe nuk e ka marrë ende veten”.

Shtëpia e Bardhë ka mohuar që shkarkimi i zotit Comey të jetë i lidhur me hetimin e FBI-së për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane, përfshirë rolin e mundshëm të këshilltarëve dhe bashkëpunëtorëve të fushatës së zotit Trump. Presidenti Trump ka mohuar çdo implikim dhe tha se donte që hetimi të bëhet siç duhet.

"Nuk ka pasur asnjë bashkëpunim mes meje, fushatës sime dhe rusëve. Rusët nuk ndikuan tek rezultati i votimit. Dhe duket se të gjithë bien dakord në këtë drejtim."

Por zoti Trump e pranoi gjatë intervistës se i kishte menduar pasojat e mundshme të vendimit të tij tek hetimi.

Këshilltarët e zotit Trump kishin këmbëngulur pas shkarkimit të befasishëm të zotit Comey se presidenti e kishte marrë vendimin mbështetur tek rekomandimi i zëvendës prokurorit të përgjithshëm, Rod Rosenstein.

Përsa i takon hetimit, zoti Trump tha se zoti Comey e kishte siguruar gjatë një darke dhe dy telefonatave se vetë Presidenti Trump nuk ishte nën hetim.

Presidenti nuk dukej i shqetësuar se pyetjet e tij për hetimin mund të konsideroheshin si ndërhyrje në procesin e FBI-së, ose se sjellja e tij mund të shihej si paralajmërim për pasuesin e mundshëm të zotit Comey për të mos bërë pyetje mbi lidhjet e mundshme mes personave të afërt me zotin Trump dhe ndërhyrjes së Rusisë tek zgjedhjet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG