Lidhje

Trump, thirrje Senatit për reformën në imigracion


Presidenti Donald Trump i ka bërë thirrje senatit të mbështesë një projekt-ligj për imigracionin të propozuar nga ligjvënësi republikan Charles Grassley, duke thënë se miratimi i tij do të ratifikonte “katër shtyllat” e planit të administratës për reformë në imigracion.

Projekt-ligji lejon mundësinë që 1.8 milionë vetë që ndodhen në Shtetet e Bashkuara ilegalisht, pasi u sollën në moshë të mitur, të mund të aplikojnë për shtetësi. Po në bazë të propozimit, akordohen 25 miliardë dollarë për sigurinë kufitare, kufizohet imigracioni familjar dhe eliminohet lotaria e vizave duke u zëvendësuar me një sistem që bazohet në meritat e individit.

Në një deklaratë të nxjerrë të mërkurën nga Shtëpia e Bardhë, presidenti u bëri thirrje senatorëve të mos binin në kurthin e zgjidhjeve të përkohëshme, por të miratonin reforma të logjikshme dhe “të përgjegjshme që janë në interes të popullit amerikan”.

Senati hapi të hënën debatin mbi propozimet; votime për këto projekt-ligje pritet të fillojë që të mërkurën. Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, la të kuptohet se synon ta mbyllë debatin mbi imigracionin brenda kësaj jave dhe akuzoi demokratët se po e zgjasin pa nevojë procesin.

Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Charles Schumer shprehu kundërshtimin e tij kur Senatori McConnell mori fjalën për të hapur debatin mbi nevojën për të goditur praktikën e qyteteve “strehë e sigurtë”, bashki që u japin strehim imigrantëve të paligjshëm dhe nuk bashkëpunojnë me autoritetet federale për të kapur dhe deportuar individë pa dokumente të rregullta.

Qindra mijëra të rinj, që njihen bashkarisht si Ëndërrimtarët, ndodhen nën mbrojtjen e statusit të përkohëshëm që u jep mundësi të punojnë e studiojnë në Shtetet e Bashkuara në bazë të një urdhri ekzekutiv të ish-presidentit Obama.

Presidenti Trump e ka sfiduar këtë program dhe i ka kërkuar Kongresit ta rishikojë programin që u ofron mbrojtje këtyre të rinjve të sjellë në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur.

Presidenti Trump ka caktuar 5 marsin si afatin e skadencës së programit që i mbron këta të rinj, pas kësaj date ata janë në rrezik deportimi.

Çdo propozim për imigracionin kërkon votat e të paktën 3/5 së senatorëve. Demokratët kanë thënë se do të mbështesin vetëm një projekt-ligj që ofron zgjidhje për statusin e Ëndërrimtarëve dhe forcon sigurinë kufitare.

XS
SM
MD
LG