Lidhje

Presidenti Trump sulmon hetimet ndaj financave të tij


Adam Schiff

Presidenti i SHBA, Donald Trump sulmoi ashpër të enjten hetimet që po ndërmerr Kongresi për financat dhe marrëdhëniet e tij të biznesit. Përpjekja e re kryesohet nga demokratët e opozitës, të cilët kanë tani shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

Presidenti Trump sulmoi kongresmenin Adam Schiff, kryetar i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, për të cilin ai tha se kishte "gjetur zero marrëveshje bashkëpunimi me Rusinë" në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Tani, tha Presidenti, Schiff është duke "shqyrtuar çdo aspekt të jetës sime, si financiare ashtu edhe personale, megjithëse nuk ka asnjë arsye për ta bërë këtë. Kjo kurrë nuk ka ndodhur më parë, është ngacmim i pakufizuar ndaj një presidenti".

"Demokratët dhe komisionet e tyre po çmenden fare,” tha zoti Trump në një varg komentesh në Twitter para agimit.

Zoti Trump, në mënyrë të gabuar, tha se ligjvënësit republikanë kurrë nuk e kishin hetuar paraardhësin e tij, ish-presidentin demokrat Barak Obama, duke thënë se nëse veprohej kështu, "presidenti nuk do të kishte kohë për të drejtuar qeverinë".

Ai e përshkroi hetimin nga komisioni i ligjvënësit Schiff si "vazhdim i gjuetisë së shtrigave", term që e ka përdorur prej kohësh për të përshkruar hetimin e tanishëm të prokurorit të posaçëm Robert Mueller rreth lidhjeve të fushatës Trump me Rusinë.

Pesë persona të afërt me zotin Trump janë dënuar për krime të ndryshme gjatë hetimit dhe një i gjashtë është aktualisht i pandehur.

Në fjalimin për gjendjen e vendit të martën mbrëma, Presidenti Trump tha:

“Një mrekulli ekonomike po ndodh në Shtetet e Bashkuara dhe e vetmja gjë që mund ta ndalë janë luftërat pamend, politikat ose hetimet partiake qesharake".

Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve po mban një dëgjesë mbi çështjen e taksave të presidentëve, një hap i parë i një procesi që mund ta bëjë komisionin e drejtuar nga demokratët të hetojë taksat e Presidentit Trump.

Demokratët synojnë të shqyrtojnë interesat financiare të zotit Trump, për të parë nëse ato mund të motivojnë vendime të caktuara politike të tij.

Taksat janë konfidenciale, por sipas ligjit, kryetari i Komisionit për Tatimet ka autoritetin për shqyrtuar taksat e kujtdo.

Zoti Schiff tha se komisioni do të vazhdojë të shqyrtojë veprimet e Rusisë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, si dhe kontaktet midis ekipit të fushatës Trump dhe Moskës, por tani do të hetojë gjithashtu "nëse ndonjë aktor i huaj është përpjekur të kompromentojë ose të ketë ndikim financiar mbi zotin Donald Trump, familjen, biznesin, ose bashkëpunëtorët e tij."

Komisioni i zotit Schiff votoi gjithashtu të mërkurën për t’i dërguar hetuesit të posaçëm Robert Mueller më shumë se 50 intervista të zbardhura të komisionit lidhur me hetimin për Rusinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG