Lidhje

Trump sulmon senatoren demokrate Warren


Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi senatoren demokrate Elizabeth Warren të martën, duke iu referuar asaj përsëri si "Pocahontas" (një figurë historike e indianëve të Amerikës) dhe duke e quajtur atë "një mashtrim të plotë dhe total".

Kritikat e ashpra të Presidentit Trump, të postuara në Twitter të martën, erdhën një ditë pasi senatorja Warren, kandidate e mundshme e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, nxori rezultatet e testit të ADN-së që tregojnë se një nga stërgjyshërit e saj mund të ketë patur origjinë nga indianët e Amerikës. Për rezultatin që tregon se ajo ka shumë më pak se një për qind origjinë nga indianët e Amerikës (1/64 deri 1/1024), Presidenti Trump tha se është "shumë më pak se mesatarja amerikane".

Cherokee, më i madhi i tre fiseve të njohura indiane në Shtetet e Bashkuara, hodhi dyshime mbi testin e ADN-së, duke thënë se testet e tilla janë të padobishme në përcaktimin e identitetit fisnor.

Presidenti Trump kishte ofruar t’i jepte 1 milion dollarë në korrik një organizateje bamirëse që preferon senatorja Warren, nëse ajo do t’i nënshtrohej testit të ADN-së për të parë se a kishte gjak indian. Të hënën, ai mohoi se e kishte bërë premtimin dhe më vonë tha se do të ofronte donacionin "nëse personalisht do ta bënte testin e saj", një ofertë që senatorja Warren e përshkroi në Twitter si "të pahijshme".

Senatorja Warren tha gjithashtu se "miliona njerëz e kanë parë" se si Presidenti Trump nuk e mbajti premtimin dhe shtoi, "Ju keni humbur një hap, dhe pas 21 ditësh do të humbni edhe Kongresin".

Zgjedhjet për Kongres në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 6 nëntor. Ato do të përcaktojnë fatin e 435 vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një të tretën e 100 vendeve të Senatit.

Demokratët duhet të fitojnë 23 vende për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, që sipas shumicës së sondazheve, demokratët kanë një mundësi të mirë për ta arritur. Por sipas shumicës së sondazheve, demokratët nuk kanë gjasa të marrin kontrollin e senatit.

Kontrolli nga demokratët i Dhomës së Përfaqësuesve mund të pengojë përpjekjet e Presidentit Trump për të realizuar axhendën e tij politike dhe do t'u jepte fuqi demokratëve në hetimin e tanishëm të Prokurorit të Posaçëm mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG