Lidhje

Presidenti Trump dënon supremacistët e bardhë


Presidenti Donald Trump tha se "racizmi është një e keqe", duke dënuar KKK-në, neo-nazistët dhe supremacistët e bardhë si "kriminelë dhe banditë".

Ai i bëri komentet në sallën e pritjeve diplomatike të Shtëpisë së Bardhë pas takimit me Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions dhe drejtorin e FBI-së Christopher Wray në lidhje me dhunën me motive raciste në Sharlotsvill të Virxhinias.

Presidenti Trump ka qenë në shënjestër të kritikave për komentet e bëra të shtunën, kur u shpreh se për dhunën në Sharlotsvill duhet të fajësohen “shumë palë”. Në komentet e së shtunës ai nuk veçoi supremacistët e bardhë apo ndonjë grup tjetër urrejtjeje, edhe pse disa ligjvënës republikanë dhe të tjerë në Shtëpinë e Bardhë i dënuan ata me emër.

"Kushdo që ka shkelur ligjin në dhunën raciste këtë fundjavë, do të jetë përgjegjës," tha zoti Trump gjatë komenteve të shkurtra që bëri në Shtëpinë e Bardhë.

Deklarata erdhi dy ditë pasi ai nuk arriti të dënojë në mënyrë konkrete tubimin e supremacistëve ku u vra 32-vjeçarja Heather Heyer dhe u plagosën rreth 19 të tjerë nga një person, që sipas njoftimeve kishte prirje raciste dhe pro-naziste.

Në komentet e tij, Presidenti Trump bëri thirrje gjithashtu për unitet.

"Duhet ta duam njëri-tjetrin, të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin dhe të bashkohemi në dënimin e urrejtjes, fanatizmit dhe dhunës. Ne duhet të rizbulojmë lidhjet e dashurisë dhe besnikërisë që na bashkojnë si amerikanë," tha ai.

NËN KRITIKA

Presidenti Donald Trump u vu nën kritika për reagimin fillestar ndaj dhunës që shoqëroi protestat në Sharlotsvill, ku u përballën demonstrues të ekstremit të djathtë me një grup anti-protestuesish. Në këtë incident një makinë goditi qëllimisht turmën, duke lënë të vrarë një protestuese dhe duke plagosur disa të tjerë.

“Dënojmë me termat më të forta të mundshme këtë shpalosje të neveritshme të urrejtjes, paragjykimeve dhe dhunës nga shumë palë,” reagoi presidenti.

Presidenti i bëri komentet pasi makina kishte goditur turmën. Reagimi i tij u përcoll me kritika se nuk ia kishte vënë fajin haptazi supremacistëve të bardhë të cilët ishin mbledhur në Sharlosvill dhe sepse komentet e tij dukej se hidhnin një pjesë të fajit edhe mbi anti-protestuesit.

Senatori republikan Orrin Hatch postoi një koment në twitter: “Duhet ta themi hapur kur kemi të bëjmë me ligësi. Im vëlla nuk dha jetën në luftë kundër nazizmit gjerman që ky problem të na shfaqet këtu”.

Edhe përkrahësi besnik i presidentit, Anthony Scaramucci tha se presidenti duhet të kishte dalë me mesazh më të fortë:

Anthony Scaramucci, ish-drejtor i komunikimeve për Shtëpinë e Bardhë, Marrë nga ABC This Week

“Mendoj se duhet të ishte treguar shumë më i ashpër në adresë të supremacistëve të bardhë”.

Shtëpia e Bardhë tha të dielën se nuk vihet në dyshim që presidenti po dënonte me komentet e tij supremacistët e bardhë dhe ekstremistë të tjerë. Zyrtarë të tjerë të administratës folën më hapur:

“Mendoj se kurdo që përdoret dhunën kundër njerëzve për të ngjallur frikë, kemi të bëjmë me një akt terrorist. Pamë një kriminel i cili kreu një akt kriminal kundër bashkëkombasve të tij amerikanë. Do të presim se çfarë do të thonë hetimet, por akti i tij mund të jetë motivuar nga urrejtja dhe paragjykimet,” tha këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare, H.R. McMaster.

Personi i dyshuar për goditjen e turmës me makinë është akuzuar për vrasje me paramendim të kategorisë së dytë. Departamenti i Drejtësisë ka hapur një proces hetimor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG