Lidhje

Gorsuch pritet mirë nga republikanët, demokratët kundër


I emëruari i Presidentit Donald Trump për vendin vakant në Gjykatën e Lartë, Neil Gorsuch u prit me entuziazëm nga republikanët e Senatit gjatë vizitës që bëri të mërkurën në selinë e Kongresit amerikan.

Por demokratët kanë nisur përpjekjet për të hartuar stratyegjinë, me të cilën ta kundërshtojnë kandidaturën e gjykatësit konservator.

I shoqëruar nga Nënpresidenti Mike Pence, Gorsuch u takua në fillim me kryetarin e shumicës së Senatit, Mitch McConnell, i cili e quajti “një kandidaturë të shkëlqyer”.

Por disa demokratë njoftuan kundërshtimin e tyre dhe thanë se Gorsuch, bir i një ish-zyrtari të administratës Reagan, është jashtë rrjedhave kryesore të opinionit. Demokratët vazhdojnë të jenë të zemëruar me mënyrën me të cilën republikanët trajtuan të emëruarin e ish-Presidentit Barak Obama për vendin e hapur në Gjykatën e Lartë.

Emërimi

Anëtarë të familjes së zotit Trump, ligjvënës republikanë, nënpresdenti Mike Pence dhe gazetarë u mblodhën në Shtëpinë e Bardhë për të marrë pjesë në prezantimin e kandidatit për anëtar i Gjykatës së Lartë.

“Sot do të mbaj një tjetër premtim ndaj popullit amerikan, me emërimin e gjykatësit Neil Gorsuch”, tha Presidenti Trump.

Gjykatësi Gorsuch, i diplomuar në universitetet Columbia, Harvard dhe Oxford dhe gjykatës apeli, është 49 vjeç.

Ai u përgjigj me modesti ndaj emërimit:

“Duke qenë këtu para jush në një shtëpi plot me histori dhe jashtëzakonisht i ndërgjegjshëm për mangësitë e mia, premtoj se nëse marr konfirmimin, do të bëj të pamundurën që të jem një shërbëtor besnik i Kushtetutës dhe ligjeve të këtij vendi”.

Gjykatësi Gorsuch është kandidati i presidentit për të zëvendësuar anëtarin konservator të gjykatës, Antonin Scalia, i cili vdiq papritur në shkurt të vitit të kaluar. Ligjvënësit republikanë menjëherë e vlerësuan zgjedhjen e tij në mediat sociale, por disa demokratë shprehën skepticizëm.

Ish-Presidenti Barack Obama zgjodhi si kandidat gjykatësin Merrick Garland, pasi vdiq zoti Scalia por senatorët republikanë refuzuan që të debatonin ose votonin për të, duke thënë se zoti Obama ishte në përfundim të mandatit. Refuzimi zemëroi shumë demokratë dhe liberalë.

Randy Barnett, profesor i Ligjit Kushtetues thotë se nuk mendon se demokratët duhet ta bllokojnë kandidaturën e tij:

“Nuk e di se çfarë do të bëjnë demokratët, sepse mendoj se nëse ata përdorin metodën e zvarritjes për bllokimin e emërimit këtë radhë, e kuptojnë që nuk mund ta përdorin atë për kandidatë të ardhshëm. Prandaj është më mire ta ruajnë këtë metodë për një kandidat për të cilin kanë më shumë rezerva. Mendoj se disa prej tyre e dine një gjë të tillë."

Presidenti Trump tha se miliona amerikanë theksuan gjatë fushatës se autoriteti i Presidentit për të zgjedhur një anëtar të Gjykatës së Lartë, ishte çështja më e rëndësishme për ta, kur hodhën votën.

Ai kishte premtuar gjatë procesit të përzgjedhjes se do të vendoste për një kandidat të ngjashëm me gjykatësin Scalia. Dhe analistët thonë se nga disa pikëpamje, gjykatësi Gorsuch e plotëson shumë mirë këtë kriter.

“Ai përqafon të njëjtin qëndrim origjinalist ndaj ligjit, si Scalia, që do të thotë interpretim i Kushtetutës dhe ligjeve sipas formulimit në momentin kur janë hartuar”, thotë Mark Sherman, korrespondent i Associated Press.

Shqetësime të tjera kanë të bëjnë me qëndrimin e tij për abortin dhe ata që mbështesin të drejtat e abortit mendojnë se ai nuk do t’i mbështesë të drejtat e grave. Por ka të tjerë që mendojnë se gjykatësi Gorbuch ka treguar aftësinë për kompromis gjatë karrierës së tij.

Emërimi

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha të martën se i emëruari i Presidentit Trump do t'i linte të kënaqur votuesit.

"Mund t'ju siguroj se ky njeri do t'i bëjë shumë, shumë krenarë ata votues si dhe çdo amerikan," tha Spicer.

Ai shtoi se presidenti e ka marrë shumë seriozisht procesin e përzgjedhjes. "Ai e di se kjo do të ndikojë mbi gjykatat dhe mbi jurisprudencën e vendit tonë për brezat që do të vijnë," tha ai.

Judge Neil Gorsuch speaks in the East Room of the White House in Washington, Jan. 31, 2017, after President Donald Trump announced Gorsuch as his nominee for the Supreme Court.
Judge Neil Gorsuch speaks in the East Room of the White House in Washington, Jan. 31, 2017, after President Donald Trump announced Gorsuch as his nominee for the Supreme Court.

Gjykata e Lartë është e ndarë mes katër konservatorëve dhe katër liberalëve, prandaj përzgjedhja e bërë nga zoti Trump mund të rivendosë mbizotërimin e konservatorëve.

Nëse konfirmohet nga Senati, Gorsuch do të ketë rast të ndikojë në Gjykatën e Lartë për çështje të tilla të debatueshme si aborti, të drejtat fetare, të drejtat e personave ndërgjinorë, dënimi me vdekje dhe kontrolli i armëve të zjarrit.

Gjykatësi Gorsuch

Gorsuch ka shërbyer si ndihmës i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Byron White dhe Anthony Kennedy.

Ai ka pasion sportet në natyrë, gjuetinë, peshkimin dhe skitë, që janë të përhapura në shtetin e tij të Kolorados.

Ai është admirues i ish gjykatësit Scalia, të cilin gjatë një fjalimi vitin e kaluar e ka cilësuar si "kalorës të drejtësisë".

Sipas shkrimeve të portalit "SCOTUSblog", që analizon Gjykatën e Lartë përmes shkrimeve të avokatëve, profesorëve të drejtësisë dhe studentëve të drejtësisë, ekziston një ngjashmëri e madhe mes gjykatësve Gorsuch dhe Scalia.

"Vlerësimi më i madh që i bëhet shkrimeve ligjore të gjykatësit Gorsuch është krahasimi me ato të gjykatësit Scalia: opinionet ligjore të gjykatësit Gorsuch janë të qarta dhe të këndshme për t'u lexuar; ato janë të drejtpërdrejta dhe shpjegojnë qartë mendimin dhe arsyen e vendimeve të tij", shkruhet në portalin "SCOTUSblog".

"Ashtu si Scalia, Gorsuch duket se ka angazhime juridike dhe gjyqësore që dallojnë nga preferencat e tij personale dhe që e motivojnë procesin e tij vendim-marrës", shkruhet në një prej analizave.

Pasues i natyrshëm

Gjykatësi Gorsuch duket se është pasuesi më i natyrshëm i gjykatësit Scalia, përsa i përket stilit juridik dhe qasjes ndaj problemeve.

Profesori i drejtësisë Justin Marceau, shkruan se gjykatësi Gorsuch është "konservator për çështjet sociale, i cili favorizon pushtetin lokal ndaj atij federal", sipas një shkrimi në gazetën "The Denver Post" në dhjetor 2016.

Gjykatësi Gorsuch nuk ka marrë ndonjë vendim për abortin, por në vitin 2013 ai u bë pjesë e një opinioni i cili theksonte se kompanitë private mund ta kundërshtojnë mbi baza fetare klauzolën e shërbimit shëndetësor të presidentit Obama, i cili i detyron punëdhënësit të ofrojnë mbulim për ilaçet kontraceptive për gratë.

Ai po ashtu ka shkruar një ese ligjore: "E ardhmja e vdekjes me asistencë, një opinion ligjor dhe etik", duke u shprehur kundër legalizimit të saj.

Konservatorët shpresojnë se Gjykata e Lartë do të mbështesë kufizimet ndaj abortit të miratuara nga disa shtete ku dominojnë republikanët.

E ëma e zotit Gorsuch, Anne Gorsuch Burford, u emërua nga ish presidenti Ronald Reagan si gruaja e parë në krye të Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit.

Ai jeton në afërsi të qytetit Boulder, në shtetin Colorado, me guan Louise dhe dy vajzat.

Që nga vdekja e gjyqtarit Scalia, Gjykata e Lartë u është shmangur disa çështjeve të debatueshme të këtij lloji.

XS
SM
MD
LG