Lidhje

Trump: Pritet "mjaft shpejt" përgjigja amerikane ndaj sulmit në Siri


Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara do t'i japin "mjaft shpejt" një përgjigje sulmit me armë kimike në Siri.

"Do të shohim ç'ka për të ndodhur... po e analizojmë shumë seriozisht situatën," tha të enjten presidenti në Shtëpinë e Bardhë, para bisedimeve mbi situatën në Siri me këshilltarët e tij të lartë.

Më parë presidenti postoi një komente në Twitter ku shkruante se nuk kishte thënë asnjëherë se kur do të ndërmerrej sulmi ndaj Sirisë. Ai thoshte se sulmi "mund të kryhet shumë shpejt, ose jo aq shpejt." Një ditë më parë, po në Twitter ai vuri postimin ku paralajmëronte "raketat do të nisen drejt Sirisë".

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Presidenti Trump po analizon mundësinë e sulmeve me raketa si një ndër opsionet në kundërpërgjigje për sulmin me gaz kimik që akuzohet se kanë kryer forcat siriane. Të paktën 40 vetë gjetën vdekjen, qindra të tjerë u sëmurën nga sulmi të shtunën në qytetin Duma, pranë Damaskut. Siria ka hedhur poshtë akuzat se forcat e saj kryen sulmin.

Inspektorët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) pritet të vizitojnë periferinë e Doumës, ku ndodhi sulmi.

Shtetet e Bashkuara po punojnë për formimin e një koalicioni ndërkombëtar për të reaguar ndaj sulmit kimik në Siri.

Britania:

Kryeministrja britanike Theresa May ka lënë të kuptohet se vendi i saj është i gatshëm të marrë pjesë në sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara ndaj Sirisë. Ajo thirri kabinetin të enjten për një takim urgjent për të diskutuar çështjen. Ligjvënësit britanikë të opozitës duan që kryeministrja të marrë miratimin e parlamentit para se Britania të marrë pjesë në veprime ushtarake. Disa njoftime lënë të kuptohet se zonja May nuk ka në plan të thërrasë parlamentin nga pushimet që marrin fund të hënën. Kryeministrja ka folur disa herë në telefon me Presidentin Donald Trump rreth asaj që ajo thotë se është e nevojshme për “ndaluar në shkallë botërore përdorimin e armëve kimike”.

Franca:

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka ka premtuar një përgjigje të fortë ndaj Sirisë, tha të enjten se ka prova se qeveria e Assadit është përgjegjëse për sulmin me armë kimike.

Kemi prova se armët kimike u përdorën javën e kaluar, të paktën klori, dhe ato u përdorën nga regjimi i Bashar al-Assadit”, tha zoti Macron për stacionin televiziv francez TF1.

Zoti Macron nuk tha se për çfarë provash flitej por theksoi se Franca është në kontakt të përditshëm me administratën amerikane dhe se ata do të reagonin siç u shpreh ai: “ një kohë që zgjedhim vetë, kur të vendosim se do të jetë më e përshtatshme dhe më efikase”.

Gjermania:

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të enjten se vendi i saj nuk do të marrë pjesë në ndonjë veprim të mundshëm ushtarak ndaj Sirisë.

“Ne pranojmë dhe mbështetim çdo gjë që duhet bërë për sinjalizuar se përdorimi i armëve kimike është i papranueshëm”, tha zonja Merkel.

Këtu përfshihet edhe mbështetja gjermane për një mision fakt-mbledhës nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike që së shpejti do të dislokohet në Douma. Kancelarja gjermane po ashtu tha se ka “prova të fuqishme” se Assadi kreu sulmin.

Turqia:

Turqia ka dhënë mesazhe kontradiktore lidhur me përgjigjen amerikane ndaj Sirisë. Fillimisht, zëdhënësi i presidentit tha se “regjimi sirian duhet të paguajë një çmim” për incidentin në Douma. Më pas Kryeministri Binali Yildirim tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet t’i japin fund “ballafaqimit në rrugë” mbi Sirinë.

Turqia, një vend anëtar në NATO, ka mbështetur rebelët në Siri që po pëpriqen të rrëzojnë Assadin. Por Turqia po ashtu ka trupa në rajonin verior të Sirisë, në Afrin, si pjesë e një fushate kundër militantëve kurdë të Sirisë, të cilët i cilëson si terroristë. Kjo fushatë ka krijuar tensione me Shtetet e Bashkuara, e cila është mbështetur tek luftëtarët kurdë në luftën kundër Shtetit Islamik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG