Lidhje

Presidenti Trump diskuton me senatorët për taksat


Presidenti i SHBA Donald Trump u takua të martën me republikanët në Senat, duke shpresuar t’i bindë ata të miratojnë planet e tij për të ulur taksat për korporatat dhe klasën e mesme, ndërkohë që ka shkëmbyer deklarata thumbuese me një senator të njohur, Bob Corker nga shteti Tenësi.

Presidenti Trump priti në një drekë pune ligjvënësit, përfshirë zotin Corker, ndërsa është intensifikuar debati për reformën e tij në sistemin e taksave.

Javën e kaluar senati miratoi një buxhet që me gjasë do të çojë në 1.5 trilionë dollarë shkurtime në taksa gjatë dekadës së ardhshme dhe që do t’i shtonte të njëjtën sasi borxhit kombëtar të vendit prej 20 trilionë dollarësh. Presidenti Trump ka bërë thirrje për miratimin e projekt-ligjit të taksave deri në fund të vitit.

Por, Kongresi i kontrolluar nga republikanët ende nuk është pajtuar me disa ndryshime në sistemin e taksave rreth dispozitave që duhen mbajtur apo shfuqizuar, për të cilat po diskutohet në mënyrë intensive prapa dyerve të mbyllura. Presidenti Trump ka thënë se ligjet për pensionet qeveritare për amerikanët e moshuar dhe ato për llogaritë e kursimit për pension nuk do të ndryshojnë.

Senatori Corker, i cili do të tërhiqet nga Kongresi pas zgjedhjeve të vitit 2018 dhe është bërë një kritik i vazhdueshëm i presidentit, tha për rrjetin ABC News se zoti Trump duhet t’ia lërë në dorë ndryshimet në ligjin e taksave komisioneve të kongresit dhe jo "të përjashtojë kategori të ndryshme" që ia kufizojnë mundësinë ligjvënësve për të rënë dakord mbi një plan.

Zoti Corker tha se nuk ka parë vullnetin, aftësinë dhe angazhimin e presidentit Trump për të miratuar një reformë të sistemit të taksave.

Përmes postimeve në Twitter, duke iu kundërvënë senatorit, presidenti Trump tha se “senatori Corker ndihmoi në përgatitjen e marrëveshjes së keqe me Iranin", “nuk arriti të zgjidhej për një post politik në Tenësi”, “u tërhoq nga gara kur unë nuk e mbështeta më” dhe “tani po lufton kundër shkurtimit të taksave”.

Senatori Corker iu përgjigj po në Twitter duke thënë “Të njejtat të pavërteta, nga një president që nuk thotë asnjëherë të vërtetën”.

Më pas ai i tha rrjetit CNN se “presidenti ka problem të madh me të vërtetën”.

XS
SM
MD
LG