Lidhje

Trump shkarkon nga detyra Sekretarin e Shtetit Tillerson


Presidenti Trump ka pushuar nga detyra Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson dhe e ka zëvendësuar atë me drejtorin e CIA-s Mike Pompeo, duke bërë një lëvizje madhore në ekipin e sigurisë kombëtare ndërkohë që po zhvillohen negociata të rëndësishme me Korenë e Veriut.

Rolin e zotit Pompeo në krye të CIA-s do ta marrë Gina Haspel, aktualisht zëvendës drejtore e kësaj agjencie. Ajo do të bëhet gruaja e parë që drejton agjencinë amerikane të zbulimit ndërkombëtar.

“Faleminderit Rex Tillerson për shërbimin ndaj vendit. Gina Haspel do të bëhet drejtorja e re e CIA-s, e para grua në këtë detyrë. Urime të gjithëve,” tha presidenti në një postim në Twitter.

Siç shkruan shtypi amerikan, presidenti i kishte kërkuar shefit të diplomacisë Tillerson të jepte dorëheqjen dhe sekretari i shtetit kishte mbyllur para kohe një udhëtim në Afrikë për t’u kthyer dje në Uashington.

Në një deklaratë për Washington Postin, presidenti vlerësonte si zotin Pompeo, ashtu edhe zonjën Haspel.

“Jam krenar që emëroj drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo si sekretar i ri i shtetit. Mike doli i pari i klasës në Akademinë Ushtarake West Point, është dekoruar për shërbimin ushtarak dhe ka mbaruar me nota të larta departamentin e juridikut në Harvard. Më pas ai ka qenë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, ku ka dëshmuar aftësinë për të bashkëpunuar me ligjvënës të partisë opozitare”.

Në deklaratën e tij, presidenti shkruan se “Gina Haspel, zëvendës drejtore e CIA-s, do të emërohet për të zëvendësuar drejtorin Pompeo dhe do të bëhet e para grua që merr drejtimin e kësaj agjencie, gjë që shënon një moment historik. Mike dhe Gina kanë punuar së bashku për më shumë se një vit dhe kanë krijuar një respekt të ndërsjelltë”.

Reagimet ndaj shkarkimit të Sekretarit Rex Tillerson

Ndryshimet e papritura që Presidenti Donald Trump bëri në ekipin e tij të sigurisë kombëtare të martën kanë nxitur reagime të përziera nga drejtues të lartë të Kongresit amerikan, ndërsa disa kritikuan vendimarrjen kaotike të Shtëpisë së Bardhë në sferën e politikës së jashtme. Disa ligjvënës vlerësuan ish Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson, të pushuar nga puna nga Presidenti Trump përmes një postimi në rrjetin Twitter. Disa figura kyçe republikane shprehën mbështetje për pasuesin e tij, drejtorin aktual CIA-s Mike Pompeo dhe zëvendësen e tij Gina Haspel, e cila do të marrë drejtimin e agjencisë së zbulimit. Ata parashikuan se Senati do të konfiromojë dy të emëruarit e presidentit.

Demokratët në opozitë shrehën rezerva ose kundërshtim të menjëhershëm mbi përzgjedhjet e presidentit, Pompeo dhe Haspel, përpara atyre që ka të ngjarë të jenë seanca dëgjimore të diskutueshme.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Paul Rayan, vlerësoi zotin Tillerson për “udhëheqjen e tij të qëndrueshme”. Zoti Ryan e përshkroi zotin Pompeo, një ish ligjvënës nga shteti Kansas, si “një partriot i përkushtuar dhe i mprehtë”, përvojë të cilën tha Ryan, e bën atë zgjedhje të përkryer për kryediplomatin e ardhshëm. Ai e uroi zonjën Haspel për “emërimin historik” si gruaja e parë në krye të Agjencisë Qendrore të Zbulimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG