Lidhje

Presidenti i zgjedhur amerikan njofton emërime të reja


Me më pak se gjashtë javë deri në inaugurimin e tij, Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka përshpejtuar procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të kabinetit. Gjatë kësaj jave u njoftuan emrat e drejtuesve të ardhshëm në sektorët e mbrojtjes, mjedisit, sigurisë dhe strehimit, si dhe të ambasadorit në Kinë. Disa nga personat e përzgjedhur kanë ngjallur debate.

Scott Pruitt, prokurori i përgjithshëm i shtetit Oklahoma, i njohur për mbështetjen e tij për industrinë e hidrokarbureve, pritet të kryesojë Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit. Zoti Pruitt është kritikuar për skepticizmin e shprehur ndaj ngrohjes globale, pavarësisht provave shkencore se aktiviteti njerëzor po e shton atë. Ai ka udhëhequr madje një betejë ligjore ndaj politikave për klimën të Presidentit Obama.

Përzgjedhja e tij konsiderohet po aq e debatueshme sa ajo e Ben Carson për të drejtuar Departamentin e Strehimit dhe Zhvillimit Urban. Por, zoti Trump mendon ndryshe:

“Mendoj se jemi duke krijuar një ndër kabinetet më të mirë që janë krijuar ndonjëherë në historinë e kombit.”

Gjenerali në pension John Kelly, një veteran i luftës së Irakut, do të kryesojë Departamentin e Sigurisë. Ai do të jetë në krye të luftës kundër terrorizmit dhe do të zbatojë premtimin e zotit Trump kundër emigracionit të paligjshëm.

Dje, zoti Trump u takua me kryetarin e bashkisë së Çikagos, Rahm Emmanuel, i cili i dorëzoi një letër të firmosur nga 14 kryebashkiakë që kërkojnë mbrojtjen e studentëve të huaj pa dokumenta.

“Ata po përpiqen të arrijnë ëndrrën amerikane. Nuk kanë faj se prindërit e tyre vendosën të vijnë këtu. Duhet t’i përqafojmë dhe t’i mbajmë.”

Në vazhdim, Presidenti i zgjedhur u takua sipërmarrësen e sportit wrestling, Linda McMahon, e cila mendohet se do të kryesojë Administratën e Bizneseve të Vogla.

“Patëm një bisedë shumë të mirë rreth biznesit, sipërmarrjes, krijimit të vendeve të punës dhe Administratës së Biznesit të Vogël.”

Zoti Trump takohet sot me Guvernatorin e shtetit Iowa, Terry Branstad, për t’i ofruar postin e ambasadorit të ardhshëm në Kinë. Guvernatori republikan ka lidhje të shumta me Kinën dhe miqësi me presidentin Xi Jinping. Përzgjedhja e tij është pritur më mirë se të tjerat.

Ekipi i tranzicionit thotë se gjatë javës së ardhshme do të përzgjidhen emra të tjerë. Zoti Trump thotë se e kanë ngushtuar numrin e kandidatëve për postin më të rëndësishëm të kabinetit, atë të sekretarit të shtetit, dhe se Mitt Romney vazhdon të jetë në listë.

Shiko komentet (1)

Ky forum është mbyllur
XS
SM
MD
LG