Lidhje

Trump: Sistemi i imigracionit nuk do të përdoret si "vegël" e terrorizmit


Në fjalimin e tij të përjavshëm, Presidenti amerikan Donald Trump premtoi se sistemi i imigracionit në vend nuk do të përdoret si “vegël” për të çuar përpara kauzën e terroristëve të huaj.

Ai tha se do të “vazhdojmë të luftojmë që të marrim të gjitha masat e nevojshme dhe të ligjshme për të mos lejuar kurrë terroristët, radikalët, dhe ekstremistët e rrezikshëm të hyjnë në vendin tonë”.

Ai paralajmëroi se sistemi i imigracionit nuk do të lejohet të kthehet kundër amerikanëve, si instrument për terrorizmin dhe njerëzit e këqinj. Komentet e tij vijnë ndërsa, administrata po shqyrton mundësinë e një urdhëri të ri ekzekutiv për emigracionin.

Një gjykatë apeli vendosi unanimisht kundër urdhërit të tij ekzekutiv që ndalonte hyrjen në SHBA të refugjatëve dhe shtetasve nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Presidenti Trump u tha dje gazetarëve që e shoqëronin gjatë udhëtimit me Air Force One, se një urdhër i ri ekzekutiv mund të nënshkruhet në fillim të javës së ardhshme, nëse administrata vendos të ndjekë këtë strategji.

“Kemi disa opsione të tjera, si nënshkrimi i një urdhëri krejt të ri ekzekutiv ditën e hënë... Na duhet shpejtësi për arsye sigurie, prandaj ka mundësi të veprojmë kështu”, tha Presidenti Trump.

Studiuesit ligjorë po shqyrtojnë domethënien e vendimit të gjykatës dhe se çfarë mund të ndodhë nëse çështja kalohet në Gjykatën e Lartë.

Profesori David Abraham i Universitetit të Majamit, i tha Zërit të Amerikës vendimi i Gjykatës së Apelit, është një tregues se si mund të jenë shanset e urdhrit në Gjykatën e Lartë.

“Gjykata sinjalizoi se paditësit e urdhërit të Presidentit Trump kanë shanse ta fitojnë çështjen. Megjithëse nuk shtjellohen meritat e çështjes, gjykatësit sinjalizuan se pala paditëse ka shanse të mira”, thotë profesori Abraham.

Ndalimi i udhëtimit do të skadonte brenda 90 ditësh, pra përpara se Gjykata e Lartë të pranonte çështjen. Administrata ka gjithashtu mundësinë ta modifikojë urdhërin, duke ndryshuar afatgjatësinë apo shtrirjen e tij.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG