Lidhje

Tregtia SHBA-Kinë pas turneut të Presidentit Trump


Sapo u kthye nga turneu i tij aziatik, gjatë të cilit qëndroi për dy ditë në Kinë dhe që u cilësua nga disa analistë si i ngarkuar me komplimente dhe i thatë në substancë, tani komentatorët politikë po thonë se Presidenti Donald Trump është gati të realizojë ato që ka premtuar prej një kohe të gjatë: masa të ashpra ndaj Pekinit lidhur me praktikat e padrejta të tregtisë.

Kur ishte në Kinë, zoti Trump tha se i njeh Pekinit "meritën e madhe", që ka ditur të përfitojë nga Shtetet e Bashkuara, një deklaratë që ka shkaktuar habi tek disa.

Duke folur në një ceremoni për nënshkrimin e marrëveshjeve me vlerën e 250 miliardë dollarëve, Presidenti tha: "Unë nuk e bëj me faj Kinën…kush është ai që mund të fajësojë një vend se ka qenë i aftë të shfrytëzojë një vend tjetër në favor të qytetarëve të vet?"

Por kjo ishte vetëm gjysma e parë e një mesazhi të rëndësishëm të turneut të zotit Trump.

Pjesa tjetër e mesazhit u dha në fjalimin e tij në takimin për Bashkëpunim Ekonomik të vendeve të Azi-Paqësorit dhe u përsërit të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne nuk mund të tolerojmë më praktikat e padrejta që u grabisin amerikanëve vendet e punës, pasurinë dhe pronën intelektuale. Kanë marrë fund ditët kur vende të tjera përfitonin në kurriz të Shteteve të Bashkuara", - tha zoti Trump.

E ëmbël dhe e tharët

Douglas Paal, nënpresident në Institutin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare, thotë se ai sheh strategjinë e brendshme politike në mesazhin që zoti Trump tha gjatë turneut të tij aziatik.

Duke thënë se Kina nuk duhet fajësuar dhe se ajo ka bërë atë që duhet të bëjë cilido vend për të mbrotjur interesat e veta, Trump i jep vetes leje që të bëjë për Amerikën atë që nuk e kanë bërë udhëheqës të tjerë.

Zoti Paal thotë se në fillim të muajit të ardhshëm janë të plan të dalin dy raporte bazuar mbi hetime lidhur me shkëmbimet tregtare, që do të sjellin tarifa më të larta ndaj disa produkteve dhe ndoshta deri ndalimin e plotë të tyre.

Kinezët kanë për t'u hakmarrë sipas mënyrsë që u duket atyre e përshtatshme, thotë analisti:

“Pra, do të kalonim nga ndjenja e mirë dhe emocionet pozitive të kësaj vizite shtetërore, që do ta cilësoja "e ëmbla", tek "e tharta", që është tregtia. Kjo sjellje do të ishte më e ngjashme me mënyrën si mendon zoti Trump si dhe me detyrimin që ka ndaj votuesve që e mbështetën në zgjedhje"- thotë zoti Paal.

Analisti shton se rezultati i një qëndrimi të tillë dhe ndikimi që do të ketë te Amerika është shumë i paqartë, por e qartë është se Presidenti Trump do t'u qëndrojë premtimeve të tij për politikën e brendshme, deri në momentin kur të provohet se ato janë të gabuara.

Përveç një hetimi që po zhvillohet lidhur me praktikat që ndjek Kina për t’i detyruar kompanitë e huaja të ofrojnë pronën intelektuale në këmbim të aksesit në tregje, administrata Trump ka filluar edhe një hetim të dytë, për të zbuluar nëse importet e lira të aluminit dhe çelikut nga Kina, përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Të dyja këto hetime do ta lejonin administratën amerikane të vërë tarifa ndaj mallrave kineze.

Kina e ka cilësuar fillimin e hetimeve për tregtinë "të papërgjegjshëm", ngaqë bazohet tek një ligj i Shteteve të Bashkuara që mund të zbatohet jashtë rregullores së Organizatës Botërore të Tregtisë.

Disa kanë paralajmëruar se zbatimi i masave të tilla mund të shkaktojë një luftë tregtare mes të dy vendeve. Por të tjerë argumentojnë se lufta tregtare ka filluar shumë kohë më parë dhe se ndryshimi është se administratat e mëparshme nuk kanë bërë sa duhet për këtë çështje.

Plumba ekonomikë

Përveç hetimeve, ka një nxitje nga ana e ligjvënësve të të dyja partive si në Senat, edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, për të fuqizuar Komisionin për Investimet e Huaja në Shtetet e Bashkuara, CFIUS.

Nëse projektligji për këtë komision miratohet, jo vetëm që do të shtohej mbikqyrja e investimeve të huaja në Shtetet e Bashkuara, por do të përfshihej edhe mbikqyrja e investimeve të huaja në vende të tjera.

Komisioni CFIUS analizon investimet në SHBA për rrezikun e mundshëm ndaj sigurisë kombëtare të vendit. Disa ligjvënës kanë propozuar ta zgjerojnë vëzhgimin edhe brenda vendit dhe të përfshijnë edhe investimet e përbashkëta jashtë vendit. Ky propozim mundet të mos u pëlqejë korporatave të mëdha amerikane që veprojnë në shumë vende.

Ekspertët thonë administrata amerikane, përmes mekanizmave të reja në tregti po synon të shkaktojë shqetësim tek kinezët, me shpresën për të sjellë ndryshime në praktikat tregtare.

Ata thonë se pa një presion të tillë, Kina mund të mos jetë e interesuar të ndryshojë status quo-në, që për të ka funskionuar mjaft mirë në 30 vitet e fundit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG