Lidhje

Presidenti Trump komenton mbi gjendjen në Venezuelë


Presidenti Donald Trump ka thënë se një opsion ushtarak kundër Venezuelës është në tavolinë, duke e përshkruar situatën atje si një rrëmujë e rrezikshme. Komentet e zotit Trump vijnë dy ditë pasi administrata e tij vendosi sanksione të reja ndaj Venezuelës.

"Ne kemi shumë opsione për Venezuelën, pa përjashtuar atë ushtarak. Ne kemi trupa në të gjithë botën dhe Venezuela, fqinji ynë, nuk është shumë larg dhe njerëzit atje po vuajnë dhe po vdesin”, - tha presidenti.

Venezuela ishte një nga temat që presidenti Trump diskutoi të premten në New Jersey me Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson dhe Ambasadoren në OKB, Nikki Haley.

"Unë mbështes paqen dhe sigurinë për popullin amerikan dhe për të mbrojtur aleatët tanë", tha presidenti.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Trump me kënaqësi do të flasë me udhëheqësin e Venezuelës sapo në vend të rikthehet demokracia, pasi konfirmoi se presidenti venezuelian Nicolas Maduro kishte kërkuar një bisedë me zotin Trump.

Pentagoni tha se ushtria amerikane ishte e gatshme të mbështeste përpjekjet për të mbrojtur qytetarët amerikanë dhe interesat kombëtare të Amerikës jashtë vendit. Megjithatë, një zyrtar i lartë i SHBA i cili foli me kusht anonimiteti i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Pentagoni nuk është i vetëdijshëm për ndonjë veprim ushtarak në Venezuelë.

Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës, Vladimir Padrino, deklaroi në televizionin shtetëror se komentet e presidentit amerikan ishin një akt çmendurie.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG