Lidhje

Donacionet e Donald Trumpit për veteranët


Kandidati republikan për president, Donald Trump tha të martën se ai ka mbledhur 5,6 milionë dollarë për veteranët e ushtrisë amerikane. Ai sulmoi mediat që i kanë vënë në pikëpyetje donacionet.

Manjatit i pasurive të patundshme ka thënë vazhdimisht që nga muaji janar se ai ka mbledhur 6 milionë dollarë për organizatat që ndihmojnë veteranët e ushtrisë, madje në janar ai anuloi paraqitjen në një debat në Ajova për t’u marrë me mbledhjen e fondeve për veteranët. Por deri dje, Trump nuk kishte dhënë pothuajse asnjë hollësi mbi atë se si janë shpërndarë paratë.

Ai sulmoi mediat pasi disa gazetarë i kërkuan atij dhe fushatës së tij më shumë informacion për këtë çështje.

"Dua të them se shtypi duhet të ketë turp. Në emër të veteranëve, unë them që shtypit duhet t'i vijë turp për këtë. Ata më bëjnë pyetje dhe janë të zemëruar sepse unë u kam dhënë njerëzve shumë para. Do t’ua jap emrat e përfituesve tani pasi ju e dëshironi këtë. Në vend se të thoni "faleminderit shumë zoti Trump," ose "Trumpi bëri një punë të mirë," ju po pyesni: "Kush i mori paratë?" Dhe më bëni të dukem shumë keq. Kurrë nuk kam marrë publicitet kaq të keq për punët e mira që kam bërë".

Donald Trump u tha gazetarëve se paratë e mbledhura përfshinin 1 milion dollarë që ai vetë i ka dhënë për këtë kauzë. Ai tha se fondet u janë dhënë më shumë se 40 grupeve private që ndihmojnë veteranët e ushtrisë amerikane.

Por disa veteranë janë të zemëruar me zotin Trump, duke e quajtur bujarinë e tij një hipokrizi dhe duke e akuzuar atë për shfrytëzimin e problemeve të tyre për të blerë vota.

"Mendoj se Donald Trump mendon se veteranët janë për shitje. Ai duhet ta kuptoj se ne nuk jemi të interesuar për të bërë marrëveshje si veteranë kur është fjala për sigurinë e vëllezërve dhe motrave tona ende në uniformë. Ne vazhdimisht e kemi parë se si Trump është i pamatur, dhe thotë gjëra fanatike që ne e dimë se do të rrezikonin kolegët tanë dhe do t’i bënin amerikanët më pak të sigurt", thotë veterani Perry O’Brian.

Hillary Clinton, kandidatja e pritshme demokrate për president, i tha televizionit CNN të martën se ndërsa ajo është e kënaqur që Trump ka dhënë para për veteranët, ai nuk duhet të mburret kaq shumë për këtë veprim.

Ajo gjithashtu mohoi akuzat e zotit Trump se ajo nuk ka bërë asgjë për të ndihmuar veteranët. Zonja Clinton tha se ajo ka punuar për të rritur përfitimet për veteranët dhe ka bërë edhe kontribute personale.

XS
SM
MD
LG