Lidhje

Britania përgatitet për vizitën e Presidentit Trump


Presidenti Trump pritet të shkojë në Britani më 12 korrik për udhëtimin e parë të tij si president në këtë vend që është një prej aleatëve më të vjetër të Amerikës, megjithëse kjo nuk do të jetë një vizitë shtetërore. Forca e kësaj aleance speciale është vënë në provë kohët e fundit dhe pritet që protesta masive të shoqërojnë vizitën e udhëheqësit amerikan në Britani:

Britania është goditur nga një valë të nxehti, si nga klima atmosferike ashtu edhe ajo politike. Vizita e pritshme e Presidentit Trump ka mobilizuar ata që kundërshtojnë politikat e udhëheqësit amerikan për tema si imigracioni apo ndryshimet klimatike:

“Do të dal për të protestuar. Nuk jam nga ata që shkojnë në demonstrata, por këtë radhë besoj me forcë se ai nuk është i mirëpritur,” thotë një banore.

“Nuk jam krejt dakord me shumë gjëra që ai ka bërë por gjithashtu mendoj se ka bërë plot gjëra të mira për Amerikën. Prandaj e mbështes vizitën, ai është aleat i yni,” thotë një banor.

“Do i vlejë që të vijë të shohë reagimin që kanë njerëzit këtu ndaj tij,” thotë një banor i Londrës.

Në Londër janë planifikuar protesta, por ato do të jenë larg pikave ku do të ndodhet presidenti.

“Nuk duam një grup të vogël por shumë të zhurmshëm dhe agresiv të portretizohet si popullata e gjerë britanike,” thotë David Sergeant i Institutit për Politika Konservatore.

Presidenti Trump dhe Kryeministrja Theresa May patën një fillim të mirë me takimin në Shtëpinë e Bardhë në 2017, por tani marrëdhënia mes tyre është vënë në provë:

“Ripostimi i videos së esktremit të djathtë nga Presidenti Trump shkaktoi një stuhi debatesh në parlament si dhe protesta në rrugë. Tani ai po vjen këtu ndërkohë që po vendos tarifa kundër Evropës, kur po tërhiqet nga marrëveshja me Iranin dhe ndërkohë që ka pasur një stuhi negative mediatike për politikat e tij për të ndarë fëmijët nga prindërit,” thotë Leslie Vinjamuri e Grupit të Politikave “Chatham House”.

Vizita e zotit Trump ndodh në një periudhë kritike për Britaninë, ndërsa finalizon largimin nga BE-ja. Qeveria britanike beson se një marrëdhënie e fortë ekonomike dhe sigurie me Shtetet e Bashkuara është jetike për një të ardhme të suksesshme jashtë Bashkimit.

“Në epokën e Brexitit duhet të ndërtojmë aleanca në të gjithë globin. Nuk ka aleancë më të fortë se ajo që kemi me Shtetet e Bashkuara,” thotë analisti Sergeant.

Tani ngrihet pyetja nëse edhe Presidenti Trump e konsideron po aq të rëndësishme marrëdhënien me Britaninë:

“Besoj se do të riafirmohet marrëdhënia e Amerikës me Britaninë, si dhe mund të ketë një formë angazhimi për një marrëveshje tregtare, por nuk pres të shohim shumë rezultate konkrete pasi zoti Trump të largohet. Vëmendja do të rikthehet tek tema si bashkëpunimi në sferën e sigurisë dhe NATO-ja,” thotë analistja Vinjamuri.

Presidenti Trump do të shkojë në Londër pas takimit të NATO-s në Bruksel. Pas Londrës ai shkon në Helsinki për takim me Presidentin Putin.

“Këto janë takime shumë më të rëndësishme për presidentin amerikan se vizita në Londër,” thotë analistja Vinjamuri.

Ndërkohë që mijëra vetë përgatiten për protesta masive, perceptimi që do të krijojë vizita në të dyja anët e Atlantikut do të ketë rëndësi të konsiderueshme në matjen e suksesit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG