Lidhje

Presidenti Trump reagon ndaj Marshimit të Grave në Uashington


Presidenti Trump i ironizoi qindra mijëra pjesëmarrësit në marshimet e djeshme, që protestuan ndaj administratës së tij të re.

"I pashë protestat dje, por kisha përshtypjes se ne sapo fituan zgjedhjet. Pse nuk votojnë këta njerëz? Personat e famshëm e dëmtojnë kauzën e tyre", tha ai në një mesazh në Twitter nga Shtëpia e Bardhë.

Ikona e feminizmit, Gloria Steinem, Madonna, aktorja Scarlett Johansson dhe figura të tjera të njohura, morën pjesë në Marshimin e Grave në Uashington të shtunën, në shenjë proteste ndaj inaugurimit të zotit Trump, si president i 45-të i Shteteve të Bashkuara.

Dy orë më pas, Presidenti Trump tha po në Twitter se "protestat paqësore janë një tipar dallues i demokracisë. Edhe nëse nuk jam gjithmonë dakord me ta, unë i respektoj të drejtat e qytetarëve për të shprehur pikëpamjet e tyre.

Presidenti Trump u krenua gjithashtu për numrin e atyre që kishin pare inaugurimin etij në televizion, duke shkruajtur:

“Shifrat për audiencën televizive sapo dolën: 31 milionë vetë e pane inaugurimin, 11 milionë më shumë sesa shifrat gjithashtu shumë të larta të para katër viteve më parë!”.

Shërbimi Nielsen që ndjek audiencat televizive tha se 30.6 milionë shikues panë ceremoninë e marrjes së pushtetit nga zoti Trump, në krahasim me 20.6 milionë që panë inaugurimin e dytë të ish-presidentit Barack Obama në vitin 2013, por kjo shifër ishte 19 për qind më e vogël sesa ajo prej 37.8 milionësh që panë inaugurimin e pare të zotit Obama në vitin 2009. Më shumë amerikanë shohin inaugurimin e një presidenti të ri, me shifrën më të lartë ndonjëherë - 41.8 milionë – të regjistruar në vitin 1981 kur Ronald Reagan bëri betimin për mandatin e tij të parë.

PresidentiTrump, tha të shtunën në vizitën e tij në CIA, se media gënjeu për numrin e pjesëmarrësve në inaugurim. Disa organe mediash në Shtetet e Bashkuara botuan fotografi ku pjesë të mëdha të Shëtitores Kombëtare, ishin të zbrazëta në inaugurimin e tij. Ata i vunë këto fotografi përkrah fotografive të vitit 2009, ku shëtitorja ishte mbushur me njerëz që kishin ardhur për betimin e zotit Obama.

Zyrtarët amerikanë nuk bëjnë llogaritje zyrtare të pjesëmarrësve, por presidenti i ri tha se turma e së premtes fillonte tek Capitoli ku ai bëri betimin deri në Monumentin e Uashingtonit, që nderon presidentin e parë amerikan, George Washington. Pretendimi i tij nuk është i vërtetë.

Zoti Trump tha se media gënjeu.

Më pas foli edhe Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

"Ishte audienca më e madhe ndonjëherë në një inaugurim, përfshirë pjesëmarrësit dhe audiencat në gjithë globin”, tha ai.

Gjatë gjithë fushatës së tij, zoti Trump ka denigruar median për shkrimet ndaj tij. Për javë të tëra pas zgjedhjeve, ai nuk i pranoi përfundimet e komunitetit të zbulimit, se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhje, në përpjekje për ta ndihmuar atë të fitojë. Vetëm pak para inaugurimit, ai pranoi se Presdenti rus kishte urdhëruar sulmin kibernetik në kompjuterin e kreut të fushatës së Hillary Clintonit, John Podesta.

XS
SM
MD
LG