Lidhje

Trump ngre akuza për parregullsi në votime


Në Shtetet e Bashkuara, verifikuesit e fakteve dhe disa media të mëdha kanë hedhur poshtë pretendimin e presidentit të zgjedhur Donald Trump se miliona njerëz votuan në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e 8 nëntorit, që ai i fitoi.

Zoti Trump, përsëriti të dielën pretendimet e tij lidhur me parregullsi në votimet e 8 nëntorit të fituara prej tij, por pa dhënë ndonjë provë për shkeljet.

Përmes një postimi në Twitter, zoti Trump theksoi se “përveç fitores së thellë në Kolegjin Elektoral” ai do ta kishte mundur demokraten Hillary Clinton edhe me votën popullore “nëse nuk llogariten miliona vota të hedhura në rrugë të paligjshme”.

Katër orë më vonë, ai hodhi pikëpyetje mbi rezultatet në shtetet Virxhinia, Nju Hampshire dhe Kaliforni, ku humbi përballë zonjës Klinton.

Gazetat kryesore, duke përfshirë New York Times, Washington Post, Los Angeles Times dhe të tjera, thanë se pretendimet e zotit Trump ishin të pabaza, ndërsa ekspertët e zgjedhjeve thanë se ka pak prova për mashtrim në zgjedhjet amerikane.

Donald Trump do të marrë detyrën në 20 janar sepse fitoi shumicën në bazë të sistemit me Kolegj Zgjedhor që përdoret për të zgjedhur presidentët në Shtetet e Bashkuara, edhe pse aktualisht zonja Clinton në votim popullor fitoi mbi 2.2 milionë vota më shumë. Kjo shifër mund të rritet ndërsa votat janë duke u numëruar në Kaliforni, shtet ku fitoi zonja Clinton.

Gjatë ditëve të fundit, zoti Trump po ashtu kritikoi një përpjekje nga kandidatja e Patisë së Gjelbër, Jill Stein, për rinumërim votash në shtetin Viskonsin të fituar nga zoti Trump, thirrje të cilës më pas ju bashkua edhe ekipi elektoral i zonjës Clinton.

Para zgjedhjeve, zoti Trump bëri vazhdimisht deklarata duke sugjeruar se sistemi i votmeve ishte i manipuluar, duke mos ofruar asnjëherë prova që mbështesnin pretendimet.

“Janë zgjedhje të manipuluara, më besoni. E dimë që sistemi është i manipuluar...1.8 milion të vdekur janë regjistruar për të votuar.”

Avokati i zonjës Clinton për zgjedhjet, Marc Elias, komentoi të dielën në Twitter pas kritikave nga Trump se, “po sulmohemi për pjesmarrje në një rinumërim të cilin nuk e kërkuam, nga një njeri që fitoi zgjedhjet por mendon se pati manipulime të mëdha.”

Por rinumërimi në Viskonsin, Pensilvani dhe Miçigan ku zonja Stein po ashtu kërkon që autoritetet të kontrollojnë votat, nuk ka gjasa që të ndikojë tek rezultati i zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG