Lidhje

Koha në Dagestan e Tamerlan Tsarnaevit


Vitin e kaluar, Tamerlan Tsarnaev, një nga vëllezërit e dyshuar për shpërthimet në maratonën e Bostonit, që humbi jetën pas një përplasje me policinë pas sulmit, kaloi gjashtë muaj në Dagestan, prej nga janë të afërmit e tij nga ana e nënës. Mes 83 rajoneve të Rusisë, Dagestani ka aktualisht nivelin më të lartë të dhunës politike dhe fetare.

Lajmi i shpërthimeve në Maratonën e Bostonit qarkulloi kudo në botë, përfshi Dagestanin, një republikë me shumicë myslimane në Rusi, në brigjet e Detit Kaspik.

Vitin e kaluar, Tamerlan Tsarnaev, i madhi nga dy vëllezërit e dyshuar për shpërthimet në Boston dhe banor i qytetit prej një kohe të gjatë, u kthye në Dagestan, ku ai kishte jetuar për një vit, gjatë rinisë së tij. Ai qëndroi kryesisht në kryeqytetin Makhachkala, ku jetoi me babain e tij në këtë apartament.

Tamerlan Tsarnaevi shkonte në një xhami konservatore. Imami Hassan Mahomedovich, nuk e mban mend. Ai thotë se anëtarët e xhamisë së tij e duan ligjin e sheriatit, por e kundërshtojnë dhunën.

"Këtu në xhami nuk ka ekstremistë, nuk ka asnjë person me pikëpamje ekstremiste. Ne jemi njerëz të rregullt dhe të gjithë muslimanë të zgjuar e të mirë-arsimuar."

Me kamerën e fikur, një anëtar i xhamisë tha se mendonte se Tsarnaevi ishte vënë në kurth nga shërbimet amerikane të sigurisë. Kjo pikëpamje u përhap nga nëna e Tsarnaevit, Zubeidat.
Më vonë, ajo u tha gazetarëve se ndikimin më të madh ndaj birit të saj në Dagestan e kishte patur një kushëri, Magomed Kartashov, kreu i “Bashkimit të të drejtëve”, një grup pro-sheriatit në qytetin Kizlyar.
Aty, Zëri i Amerikës bisedoi me Rasim Ibadanov, një tjetër udhëheqës i grupit. Ai e kujton Tsarnaevin si një person të lumtur e me humor.

"Kur zbuluam nga burimi i parë se kishte qenë Tamerlan Tsarnaevi, ishte shumë shokuese për ne."

Zoti Ibadanov thotë se grupi i tij punon në një linjë delikate: promovon ligjin e sheriatit, por nxit akte jo të dhunshme.

"Është e vërtetë që ne themi se duam të jetojmë në një shoqëri të sheriatit, por ne nuk bëjmë thirrje për ndonjë lloj destabilizimi apo për përmbysje të qeverisë, apo për ndonjë veprim tjetër radikal ose ekstrem."

Kushëriri i Tsarnaevit, Magomed Kartashov nuk mund të intervistohej. Avokati i tij tha se ai ishte në një spital burgu, duke marrë veten nga rrahje të policisë. Zoti Ibadanov thotë se policia ka burgosur një njeri jo të dhunshëm me pretendimn se ishte një këshilltar radikal për Tsarnaevin.

"Ne mendojmë se ata janë duke u përpjekur ta diskreditojnë duke thënë se ai është një ekstremist i palogjikshëm dhe se kishte patur ndikim tek radikalizimi i Tamerlan Tsarnaevit."

Sulmet ekstremiste, ose operacionet anti-terroriste, janë ngjarje të përjavshme në Dagestan. Në qytetin Buinaksk, pak kohë më parë, zyrtarë të sigurisë shpërthyen një shtëpi të disa të dyshuarve si ekstremistë.
Zarema Bagavotdinova drejton një grup të të drejtave të njeriut për myslimanët konservatorë në qytet.

"Ata thanë se gjoja gjetën lëndë ekplozive që nuk mund të shpërbënin dhe e shpërthyen së bashku me shtëpinë."

Analistët besojnë se Tamerlan Tsarnaevi erdhi në Dagestan nga Bostoni me pikëpamje radikale për botën të formuara në Internet. Këtu në Dagestan, ai pa se disa njerëz zgjidhin mosmarrëveshjet fetare dhe politike me bomba.
XS
SM
MD
LG