Lidhje

Tsarnaev dënohet me vdekje


I dënuari për shpërthimin e bombave në Maratonën e Bostonit Dzhokhar Tsarnaev kërkoi falje në seancën e tij të dënimit të mërkurën. Gjykatësi shpalli pastaj zyrtarisht dënimin e tij me vdekje për sulmin e vitit 2013, që la të vdekur dhe të plagosur.

21-vjeçari emigrant çeçen hyri në një sallë gjyqi federal në Boston dhe pranoi se ai dhe vëllai i tij i vrarë, Tamerlan, vendosën dy tenxhere-me presion që shpërthyen pranë vijës fundore të maratonës tradicionale më 15 prill 2013, duke vrarë tre persona dhe duke lënë 264 të tjerë të plagosur, përfshirë 17 me gjymtyrë të prera.

Dzhokhar Tsarnaev pranoi "dëmet e pariparueshme", që ai dhe vëllai i tij kishin shkaktuar. Por prokurorja kryesore e çështjes, Carmen Ortiz tha se një element i rëndësishëm mungoi në komentet e tij.

"U preka më shumë nga ajo që ai nuk tha. Ai nuk dënoi terrorizmin, nuk dënoi ekstremizmin e dhunshëm."

Para se të fliste, mbi 10 viktima dhe të mbijetuar i thanë gjykatës se sulmi kishte ndikuar negativisht në jetën e tyre. Shumë prej tyre vunë në pikëpyetje dhe madje refuzuan shprehjen e pendimit nga Tsarnaev, duke e quajtur atë pasinqertë.

"U befasova që ai foli. Mendoj se shumica e të mbijetuarve u befasuan. Ai tha se ishte penduar. Unë e gjej të vështirë ta besoj pasi e kam ndjekur gjyqin dhe kurrë nuk pashë pendim tek ai.”

Por një i mbijetuar, Henry Borgard, i cili u plagos ndërsa kthehej nga puna në shtëpi, tha se e pranon faljen e Tsarnaevit.

"Isha vërtet i lumtur që ai e bëri këtë deklaratë. Siç kam thënë në deklaratën time personale, unë e kam falur atë. Kam gjetur paqen dhe vërtet shpresoj se edhe ai ndihet po ashtu. Për mua të dëgjoj të thotë se atij i vjen keq, është e mjaftueshme."

Juria votoi njëzëri muajin e kaluar për ta dënuar Dzhokhar Tsarnaevin me vdekje, pasi e gjeti fajtor në të 30 akuzat e ngritura kundër tij - 17 prej të cilave me mundësinë e dënimit me vdekje.

Ai u dënua edhe për vdekjen e Sean Collier, oficer policie në kampusin e Institutit Teknologjik të Massachusetts i cili u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me vëllezërit Tsarnaev tri ditë pas sulmit.

Avokatët e tij argumentuan në gjyq se Dzhokhar ishte nën ndikimin e fortë të vëllait të tij të radikalizuar, i cili u vra në të njëjtën shkëmbim zjarri që vrau policin Collier.

Dzhokhar Tsarnaev ka të ngjarë të dërgohet në një burg federal në Indiana për të pritur ekzekutimin - një proces që mund të kërkojë vite ndërsa avokatët e tij apelojnë çështjen e tij përmes sistemit të gjykatave federale.

XS
SM
MD
LG