Lidhje

Vizita në Rusi e kryeministrit grek


Ndërkohë që Greqia vazhdon negocimin e vështirë me kreditorët e saj evropianë, vizita në Moskë e Kryeministrit Alexis Tsipras shikohet si një përpjekje për të forcuar pozitat nëpërmjet afrimit me Moskën. Duke mirëpritur udhëheqësin grek, Presidenti rus Vladimir Putin theksoi se Greqia u shtrëngua nga BE-ja të votojë në favor të sanksioneve kundër Moskës pas ndërhyrjes në Ukrainë. Megjithëse dy udhëheqësit diskutuan rreth tregëtisë, nuk pati asnjë premtim nga Rusia për ndihmë financiare.

Tani që Greqia po rrezikon një falimentim financiar, pati spekulime se Kryeministri Tsipras pati shkuar në Moskë për të kërkuar ndihmë.

Por, Presidenti rus tha se kjo nuk ishte e vërtetë.

“Pala greke nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për ndihmë. Diskutuam bashkëpunimin në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, përfshi mundësinë e zhvillimit të projekteve madhore energjitike.”

Të dy udhëheqësit thanë se dëshirojnë të rikthejnë marrëdhëniet tregëtare, të cilat kanë ranë në nivelin 40% pas vendosjes së sanksioneve të BE-së. Por, zoti Putin tha se nuk do të përpiqet të shfrytëzojë krizën e tanishme ekonomike të Greqisë.

“Dua t’ju siguroj se nuk do të shfrytëzojmë asnjë lloj situate të brendshme të BE-së për të ndikuar në marrëdhëniet me bllokun evropian.”

Greqia vazhdon negocimin e vështirë me kreditorët evropianë dhe FMN-në, të cilët kërkojnë reforma më të thella ekonomike në shkëmbim të paketës 260 miliardë dollarëshe të shpëtimit.

Flirtimi i Athinës me Moskën është pjesë e lojës, thotë Andrew Foxall i grupit të politikave “Henry Jackson Society”.

“Ajo ç’ka po shohim këtu është se Greqia po gjen mënyrën t’i tregojë BE-së se mund t’i ofrojë Moskës veton e saj kundër sanksioneve që do të votohen në korrik, në shkëmbim të një ndihme ekonomike. Por, nuk mendoj se Greqia do të veprojë kështu.”

BE-ja e ka paralajmëruar Greqinë të mos prishë solidaritetin evropian kundër ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Zoti Foxall thotë se Athina po luan një lojë të rrezikshme.

“Çfarëdo lloji marrëveshjeje që të arrihet me Rusinë, do të dëmtojë më tej çështjen e Greqisë.”

Investimet e huaja janë tepër të nevojshme për të balancuar financat e Greqisë, thotë Emmanuel Karagiannis, i King’s College në Londër.

“Për vite të tëra, investitorët rusë ishin përjashtuar jozyrtarisht nga disa sektorë të ekonomisë greke, si energjia dhe transportet, për shkak të dyshimeve të BE-së ndaj planeve të Rusisë për Ballkanin. Pra, kjo gjë tani po ndryshon.”

Presidenti Putin ka nënshkruar tashmë marrëveshje me disa vende të Evropës lindore. Greqia, Hungaria, dhe Serbia kanë miratuar një plan për një naftësjellës rus nëpërmjet Turqisë. Moska i ka dhënë Qipros një hua prej 2,5 miliardë dollarësh, dhe ka njoftuar se mund të heqë embargon ndaj importeve bujqësore nga disa vende të Evropës lindore, anëtare të BE-së.

“Strategjia e Rusisë për disa vite tashmë, është ‘përça dhe sundo’ përbrenda Evropës, duke përzgjedhur vendet më të dobëta të Evropës.”

Sidoqoftë, analistët thonë se ndikimi i Rusisë kufizohet prej krizës së saj financiare, dhe Moska nuk mundet të ofrojë veçse një ndihmë të kufizuar për ekonomitë në vështirësi të Evropës.

XS
SM
MD
LG