Lidhje

Sulmi në Stamboll, i fundit në një valë goditjesh në Turqi


Një orë pasi filloi viti i ri, ekipet e shpëtimit mes tronditjes, po numëronin kufomat në klubin e natës në brigjet e Bosforit në Stamboll. 39 të vdekurit dhe dhjetra të plagosurit kishin shkuar të festonin ardhjen e vitit 2017, por tani viti i ri duket se po sjell atmosferën e përgjakshme të vitit 2016 për Turqinë.

Sulmet e terrorizmit kanë ardhur njëri pas tjetrit në një valë aktesh dhune.

Vetëm muaji i fundit. solli vrasjen e 44 vetëve dhe 163 të plagosurve në dy sulme të njëpasnjëshme në një stadium futbolli në Stamboll. Vetëm 11 ditë më parë në kryeqytetin Ankara, ambasadori rus u vra nga një polic që deklaroi se veprimi i tij ishte në shenjë proteste ndaj bombardimeve ruse në Alepo të Sirisë.

Që nga korriku 2015, mbi 500 vetë kanë vdekur në Turqi në sulme terroriste për të cilat kanë marrë përgjegjësinë ose Shteti Islamik, ose separatistët kurdë. Tetë anëtarë të grupit Shteti Islamik u ndaluan javën e kaluar nën dyshimet se po përgatisnin një sulm vetëvrasës në prag të Vitit të Ri.

Pothuajse të gjithë ekspertët e sigurisë janë të bindur se vrasja e së shtunës natën është e lidhur me grupin terrorist të Shtetit Isamik. Separatistët kurdë kanë prirjen të vënë në shënjestër ushtarë turq, por e vetmja gjë e përbashkët tek sulmet e xhihadistëve është që nuk ka ngjashmëri mes sulmeve. Sipas ekspertëve të kundërterrorizmit, i vetmi tipar i rëndësishëm është “vendi”.

XS
SM
MD
LG