Lidhje

Turqia një vit pas dështimit të grushtit të shtetit


Turqia zyrtare shënoi të shtunën një vjetorin e fitores ndaj grushtit të dështuar të shtetit, duke pushuar nga puna rreth 7,400 punonjës civilë, me një sesion special të Parlamentit dhe duke organizuar disa marshime për të shprehur “unitet kombëtar”.

Gjatë një viti, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka shkarkuar të paktën 100,000 nëpunës civilë që i ka karakterizuar si përkrahës të grushtit të shtetit. Qeveria gjithashtu ka arrestuar 50 mijë vetë. Zyrtarët turq e kanë shpallur 15 korrikun një festë kombëtare të demokracisë dhe unitetit.

Të shtunën presidenti Erdogan imanuguroi “Memorialin e Martirëve” mbi urën e Bosforit në Stamboll, në kujtim të kundërshtarëve të grushtit të shtetit. Urës ikonë, ku një vit më parë u zhvilluan luftime mes civilëve dhe tankeve të qeverisë, ju dha të shtunën emri i ri “Memoriali i Martirëve”.

Pas inaugurimit, zoti Erdogan u kthye në Ankara, për të marrë pjesë në sesionin parlametar, ku kryeministri Binali Yildirim e cilësoi grushtin e dështuar të shtetit si “nata më e errët dhe më e gjatë e Turqisë”, e cila “u transformua në një ditë plot dritë”.

Mijëra vetë morën pjesë të shtunën në marshime në Stamboll dhe Ankara, me pankarta ku mburrej presidenti Erdogan.

Departamenti amerikan i Shtetit bëri një deklaratë të premten, ku përgëzohej populli turk “i të gjitha pikëpamjeve dhe përkatësive politike, që doli në protesta në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të shoqërisë së tyre demokratike”.

Festimet e së shtunës zhvillohen më pak se një javë pasi udhëheqësi i Partisë Republikane të Popullit Kemal Kilicdaroglu organizoi mitingun më të madh të opozitës në Turqi, që prej shumë vitesh.

Kilicdaroglu kërkoi një shpjegim të plotë për çka ndodhi mbrëmjen e 15 korrikut, përfshirë një përgjigje se kur mësuan autoritetet se po ndodhte një grusht shteti.

Opozita turke thotë se qeveria e zotit Erdogan po lëviz drejt autoritarizmit, ndërsa udhëheqësi turk thotë se goditja ndaj të drejtave është e nevojshme për të penguar kërcënimet e sigurisë ndaj qeverisë në pushtet.

Zoti Erdogan thotë se grushti i shtetit u drejtua nga kleriku Fethullah Gulen, i cili jeton në mërgim të vetë-detyruar në Shtetet e Bashkuara për gati dy dekada. Zoti Gulen mohon çdo përfshirje në të. Të premten, Turqia shkarkoi më shumë se 7,000 persona të tjerë: oficerë policie, zyrtarë qeveritarë dhe akademikë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG