Lidhje

Zgjedhjet në Turqi dhe marrëdhëniet Uashington-Ankara


Qindra parlamentarë turq do të duhet që në gjashtë javët e ardhshme të formojnë qeverinë e re të vendit. Por, pas më tepër se një dekade me dominimin e një partie dhe një histori dështimesh të koalicioneve në Ankara, ekspertët i thanë Zërit të Amerikës se pak ndryshim mund të ketë në mënyrën se si do ta trajtojë Turqia sfidën më të madhe të rajonit: grupin e vetëquajtur “Shteti Islamik”.

Ndërsa lufta civile e shpërbëri Sirinë, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan kërkonte largimin nga pushteti të udhëheqësit sirian Bashar al-Assad. Luftëtarët e Shtetit Islamik morën territore përgjatë kufirit verior të Sirisë, duke i detyruar refugjatët të largohen drejt Turqisë.

Presidenti Erdogan vazhdonte të këmbëngulte që Damasku ishte problem kryesor, ndërsa Uashingtoni krijoi një koalicion prej shumë vendesh për fillimin e një fushate ajrore kundër militantëve ekstremistë.

Media turke hodhi dyshime për një marrëveshje të fshehtë të Ankarasë, si furnizimi me armë i rebelëve që luftonin kundër Assadit, apo mospengimi i personave që kalonin kufirin për në Siri për t'u bashkuar me forcat rebele, të cilët më pas ju bashkuan Shtetit Islamik. Ankaraja i mohoi akuzat përsëri edhe këtë të enjte, kur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Tanju Bilgiç i hodhi poshtë ato si shpifje.

Megjithatë, politika e jashtme nuk ishte një çështje e rëndësishme gjatë zgjedhjeve. Siç shprehet profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Aydin Mustafa, në një artikull për gazetën turke Hurriyet Daily News,

((http://www.hurriyetdailynews.com/post-election-blues-in-turkish-foreign-policy.aspx?pageID=449&nID=83799&NewsCatID=468)) ndërsa miliona votues mund të mos ketë votuar, për shkak të politikës së Ankarasë në Siri: "Mendoj se mosmiratimi nga votuesit i politikës së jashtme të qeverisë, luajti një rol të madh në rënien e mbështetjes për partinë AKP që ajo nuk arriti të sigurojë shumicën në parlament."

Presidenti turk e bëri një mision personal qëndrimin ndaj Damaskut, thotë Sinan Ciddi, drejtor i Institutit për Studime mbi Turqinë në Universitetin Georgetown.

"Regjimi i Erdoganit ka më përparësi përmbysjen e regjimit të Assadit, se sa çrrënjosjen e Shtetit Islamik."

Për Ankaranë, Shteti Islamik është një çështje sigurie, po aq sa edhe një sfidë logjistike. Mijëra refugjatë që largohen nga Siria vazhdojnë të hyjnë çdo javë në Turqi, duke e çuar numrin e refugjatëve sirianë në të paktën 1, 5 milionë vetë.

Megjithë kërkesat e vazhdueshme të Uashingtonit për një rol më aktiv në koalicionin kundër IS-it, Erdogani ra darkord që vendi i tij të merret kryesisht me ndihmën për stërvitjen e rebelëve të moderuar sirianë.

"Qeveria e re, cilado qoftë forma e saj, do të përballet me çështje serioze në marrëdhëniet ndërkombëtare të Turqisë dhe së shpejti do të duhet të marrë vendime të rëndësishme. Pozicioni i Erdoganit dhe evoluimi i pikëpamjeve, po ashtu do të jenë thelbësor në përcaktimin e kursit të politikës së jashtme të Turqisë.", shkruan eksperti Mustafa në gazetën Hurriyet.

Por në një mundje modeste në zgjedhje, që shihet në fakt si referendum ndaj ambicieve të presidentit për pushtet më të fortë ekzekutiv, Partia në pushtet AKP e humbi shumicën absolute, duke siguruar vetëm 41 për qind të votive.

"Nuk do të jetë më zoti Erdogan dhe partia e tij që do të përcaktojnë të gjitha aspektet e politikës së brendshme dhe të jashtme", thotë Bulent Aliriza, drejtor i Projektit për Turqinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

Grupi kryesor i opozitës, Partia Republikane e Popullit, (CHP), siguroi 25 për qind të votave, e pasuar nga Partia e Lëvizjes Kombëtare (MHP) me 16.5 për qind dhe nga partia e majtë pro-kurde, Partia e Demokracisë së Popullit, (HDP) me 13 për qind. Mes fituesve, pak koalicione janë të natyrshme; disa udhëheqës partish kanë deklaruar publikisht se me cilat grupe nuk do të formojnë koalicion.

"Do të ketë ndryshime, masën e të cilave ne nuk mund ta përcaktojmë tani, në lidhje me mënyrën se si do të jenë politikat e brendshme dhe ato të jashtme," i tha Zërit të Amerikës eksperti Aliriza.

Në se nuk formon dot koalicion, zoti Erdogan mund të kërkojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, prandaj do të duhet të formohen koalicione, qoftë edhe me parti të parëndësishme.

F. Michael Wuthrich, Nëndrejtor i Qendrës për Studime Globale dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Kansasit, mendon se dobësitë politike do të sjellin një politikë të jashtme të profilit të ulët, edhe ndërsa avionët e koalicionit nën drejtimin e SHBA vazhdojnë të godasin objektiva të Shtetit Islamik në Siri, disa kilometra larg kufirit me Turqinë.

Sipas zotit Wuthrich, studjues për politikat me Turqinë, "Cilado qoftë qeveria e koalicionit që do të krijohet, gjasat janë që ajo të ndjekë një politikë të jashtme konservatore...Edhe në se do ketë një koalicion me parti të opozitës, do të ketë një vijë ndarëse përsa i përket çështjeve të politikës së jashtme. Në se do të duhet të ketë bashkëpunim mes partive të ndryshme, ato nuk do të ndërmarrin veprime që marrin mbi vete rrezik të madh, të cilat do të shiheshin si zgjedhje, apo politika negative nga qytetari i zakonshëm turk."

"Bota nuk ka për t'u dhënë atyre zgjedhje tjetër"

Fysal Dagli, gazetar në rajonin me shumicë kurde të Dixharbakirit, i tha shërbimit kurd të Zërit të Amerikës se Turqia do të duhet ta ndryshojë qëndrimin ndaj Shtetit Islamik.

"Një nga arsyet që shkaktoi kritika për AKP-në është puna e tyre me ISIS-in dhe politikat e tyre të gabuara me Sirinë dhe çështje të tjera në Lindjen e Mesme. Kjo mendojmë se shkaktoi një çarje mes Shtëpisë së Bardhë dhe Turqisë. AKP e di se tani duhet të ndryshojë, ose rishikojë pozicionin, sepse bota nuk ka për t'i dhënë një zgjedhje tjetër,"- thotë zoti Dagli.

Pas rezulatit të zgjedhjeve, Uashingtoni nuk u shpreh menjëherë. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Jeff Rathke i vlerësoi zgjedhjet dhe i tha gazetarëve në fillim të javës se SHBA "kanë një marrëdhënie të fortë me Turqinë dhe se ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë edhe me qeverinë e re që do të krijohet."

Ky është veprimi i duhur, sipas ekspertit Aliriza:

"Unë mendoj se ka një lloj kënaqësie brenda qeverisë amerikane, se në Turqi jo vetëm që funksionoi demokracia, por kjo ndodhi në mënyrë të efektshme, duke bllokuar kalimin drejt autoritarizimit, siç ekzistonte një mendim në SHBA, përfshirë Uashingtonin zyrtar. Prandaj, unë mendoj që është më mirë që Uashingtoni të qëndojë jashtë debatit aktual dhe të presë deri sa të qartësohen gjërat."

Uashingtoni, ndoshta është duke kërkuar stabilitet politik, cilido qoftë koalicioni që do të krijohet, sipas profesorit të Universitetit Georgetown, Ciddi.

Bazuar tek rezultatet, kjo do të thotë një aleancë mes AKP-së dhe Partisë Republikane të Popullit.

Megjithatë, Presidenti Barack Obama dhe zoti Erdogan këmbyen disa replika në fjalimet që mbajtën këtë javë në Gjermani, për takimin e G-7-ës; udhëheqësi amerikan e akuzoi Ankaranë se i ka lejuar luftëtarët e huaj të kalojnë kufirin për në Siri.

"Kjo është një fushë për të cilën ne kemi kërkuar bashkëpunim më të thellë me autoritete turke, të cilët e pranojnë këtë problem, por nuk e kanë luftuar me kapacitetin që nevojitet. Kjo është diçka, për të cilën mendoj se duhet të shpenzojmë shumë kohë."- tha zoti Obama.

Megjithë përpjekjet e Uashingtonit për të patur mbështetjen e Turqisë për koalicionin kundër ISIS-it, Ankaraja mbetet e vendosur.

Një një fjalim që mbajti të enjten, të transmetuar me televizion, zoti

Erdogan tha se vendet perëndimore janë duke ndihmuar ato që ai i cilësoi grupe “terroriste" kurde në Siri, ku forcat kurde i janë bashkuar rebelëve sirianë për të luftuar kundër grupit ISIS.

"Si mund ta shohim këtë si një hap pozitiv? Si mund të besojmë se Perëndimi e ka me sinqeritet? ", tha ai.

Marrëdhënia e tensionuar politike e Turqisë me pakicën e vet kurde është një burim tensioni prej kohësh, duke e bërë më të rëndësishme fitoren për herë të parë të partisë pro-kurde HDP.

Por eksperti Wuthrich, thotë se kjo parti mundet që të ruajë një profil të ulët gjatë herës së parë që arritu të përfaqësohet në parlament.

"Unë mendoj se kjo parti ka për t'u sjellë me shumë kujdes për politikën e jashtme. Mbështetja e kurdëve të Sirisë nuk ka për të qenë aspak e pëlqyeshme për qytetarin e zakonshëm në Turqi."

Në se Uashingtoni, apo një tjetër vend perëndimor, i jep rol më të madh qeverisë së re, si ndihmë për të negociuar për marrëveshjne e paqes në rajon, ka pak shanse që partia HDP do të dëshirojë të krijojë shqetësime jashtë vendit.

"Ka ende shumë dyshime lidhur me interesat e kurdëve të Turqisë, se cila është agjenda e tyre. Pra, në se çështja e parë në agjendën e tyre do të ishte ndihma për kurdët e Sirisë, kjo nuk do të ishte diçka e mirë për ta. Nuk është në interesin e tyre që të shpërthente një bombë në politikën e jashtme", përfundon eksperti Wuthrich.

XS
SM
MD
LG