Lidhje

Erdogan, thirrje për krijimin e një qeverie koalicioni


Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u bëri thirrje partive politike të punojnë me shpejtësi për formimin e një qeverie të re. Këto ishin komentet e tij të para pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës, në të cilat ai humbi shumicën absolute prej dy të tretash. Presidenti shfrytëzoi këtë rast duke akuzuar Perëndimin për mbështetjen ndaj atyre që ai i quajti "terroristë" kurdë në Siri.

Duke folur sot në televizionin turk, zoti Erdogan u bëri thirrje të gjitha partive politike që të lënë mënjanë mosmarrëveshjet. Ai tha se historia historia do t'i gjykojë të gjithë ata që e lanë Turqinë në këtë gjendje të paqartë.

"Të gjithë duhet të respektojnë vullnetin e popullit. Përfundimet e zgjedhjeve tregojnë se populli ynë kërkoi një rezultat që nuk i hap rrugën qeverisjes nga një parti e vetme," tha Presidenti Erdogan në një fjalim përpara studentëve në dhomën e tregtisë në Ankara.

Zoti Erdogan, i cili ishte kryeministër nga viti 2003 deri në 2014, bëri fushatë intensive për t’i mundësuar partisë së tij AKP të ndryshonte Kushtetetën, gjë që do t’i zgjeronte kompetencat e tij si president.

Mirëpo në zgjedhjet e së dielës, partia e tij humbi vende në parlament, një goditje kjo ndaj autoritetit të presidentit.

Zoti Erdogan tha se asnjë zhvillim politik nuk duhet të lejohet të kërcënojë arritjet e Turqisë.

"Objektivat e Turqisë për vitin 2023 nuk janë objektiva të një partie të vetme politike, por të të gjithë vendit. Ne duhet të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë pa lejuar asnjë keqfunksionim. Ata që e lënë Turqinë pa qeveri, ata që janë të pushtuar nga egoja, do të mbajnë përgjegjësi përpara historisë dhe popullit," tha Presidenti turk.

Të mërkurën, një ligjvënës i lartë i opozitës u tha gazetarëve pas një takimi me zotin Erdogan se presidenti "është i hapur për'' të gjitha opsionet e mundshme për krijimin e një qeveria të re koalicioni.

Presidenti mund të kërkojë organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare në qoftë se bisedimet për krijimin e një qeverie koalicioni dështojnë.

Zoti Erdogan akuzoi gjithashtu Perëndimin për bombardimin e arabëve dhe turkmenëve sirianë, ndërkohë që mbështet grupet "terroriste" kurde, që ai tha se po zenë vendin e tyre.

"Për fat të keq, Perëndimi po bombardon arabët dhe turkmenët në Tel Abyad afër kufirit tonë dhe po i zëvendëson ata me grupe terroriste. Si mund ta shohim ne këtë si zhvillim pozitiv? Si mund të besojmë se Perëndimi është i sinqertë?" tha zoti Erdogan.

Ditët e fundit, kryengritësit e moderuar sirianë dhe forcat kurde po luftojnë kundër kryengritësve të shtetit islamik, që kanë pushtuar qytetin kufitar Tel Abyad, duke detyruar mijëra njerëz të largohen në Turqi.

XS
SM
MD
LG