Lidhje

Turqia, akuza për ndërhyrje të jashtme


Qeveria turke ka gjetur nje aleat ta pazakontë, ndërsa vihet në shënjestër të akuzave për korrupsion. Udhëheqës kryesorë të lëvizjes pro-kurde po mbështesin pretendimin e Kryeministrit Recep Tayyip Erdogan se ai është viktimë e një komploti ndërkombëtar. Një mbështetje e tillë i atribuohet besimit se zoti Erdogan është një person kyç për përpjekjet e paqes më kurdët.

Prej disa muajsh, qeveria turke po lufton akuzat për korrupsion, që përfshijnë mes të tjerash pastrim parash. Kryeministri Recep Tayyip Erdogan i ka cilësuar akuzat si një përpjekje për “grusht shteti gjyqësor” dhe fajëson fuqitë e huaja.

Partia kryesore pro-kurde për Paqe dhe Demokraci, që përgjithësisht ka qenë kritike e zotit Erdogan, ka zbutur qëndrimin e saj ndaj qeverisë. Madje, këtë muaj, deputeti I BDP-së, Sirri Sakik i shpërfilli akuzat për korrupsion.

“Për mua kjo çështje nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Nëse paratë nuk vidhen kështu, do të vidhen në një mënyrë tjetër”.

Vëzhguesit thonë se arsyeja që partia pro-kurde po tërhiqet nga kritikat për zotin Erdogan është se BDB-ja do që të vazhdojnë përpjekjet e paqes mes qeverisë turke dhe popullatës kurde.

Partia AK në pushtet ka filluar një proces paqeje për t’i dhënë fund një konflikti dhjetra vjeçar mes Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit ose PKK dhe shtetit turk.

Ekspertja e shkencave politike, Nuray Mert e Universitetit të Stambollit thotë se lëvizja pro-kurde mund të paguajë një çmim të lartë për qëndrimin e vet pragmatik.

"Përshtypja që krijojnë është sikur janë të interesuar vetëm për betejën e tyre në vend që të mendojnë për gjendjen në Turqi në përgjithësi. E bën partinë politike kurde të humbë peshë në sytë e turqve të zakonshëm. Duket sikur po pranojnë këtë propozim jo të ndershëm nga një qeveri e korruptuar në këmbim të të drejtave dhe lirive të tyre”.

Në janar, Grupi i Komuniteteve ne Kurdistan, një organizatë e ndaluar që është e lidhur me PKK-në, nxorri një deklaratë në mbështetje të pretendimeve të qeverisë se hetimet për korrupsion janë pjesë e një konspiracioni ndërkombëtar për të përmbysur kryeministrin.

Në deklaratë flitet për një komplot të bizneseve të Londrës, së bashku me herbrenj, grekë dhe armenë.

Deklarata u prit me kritika të ashpra, përfshirë edhe anëtarë me peshë të lëvizjes pro-kurde, një shenjë që edhe besimi tek një teori komploti ka një kufi.

Por ka edhe probleme më të mëdha që mund të komprometojnë përpjekjet e paqes.

Ekspertja e shkencave politike Mert thotë se në pozitën që është qeveria tani, në gjendje krize, ajo mendon së është në pikëpyetje aftësia e saj për të vendosur paqen.

"Qeveria mund ta ruajë pushtetin për një farë kohe, por ka humbur legjitimitetin e brendshëm dhe ndërkombëtar, prandaj nuk është më një faktor që mund ta zgjidhë problemin kurd”.

Qeveria do ta ketë edhe më të vështirë të manovrojë, kur të fillojë fushata zgjedhore prej 18 muajsh, në mars. Analistët theksojnë se shumë votues që janë anëtarë të partisë AK në pushtet janë nacionalistë turq që i shohin me mosbesim përpjekjet e paqes të kurdëve. Kjo ka gjasa ta bëjë të vështirë për Kryeministrin që t’i bëjë lëshime të konsiderueshme pakicës kurde të Turqisë në të ardhmen e afërt.
XS
SM
MD
LG