Lidhje

Turqi, vazhdojnë arrestimet pas grushtit të shteti


Në Turqi, pas dështimit të grushtit ushtarak të së premtes, zyrtarët vazhdojnë të arrestojnë gjykatës dhe ushtarakë. Ministri i Drejtësisë Bekir Bozdag tha se numri i të ndaluarve ka arritur në rreth 6 mijë vetë dhe se ai “pritet të rritet”. Mes të ndaluarve është komandanti i Korpusit të Tretë të Ushtrisë, gjenerali Erdal Ozturk, i cili mund të përballet me akuza për tradhëti.

Ushtarakë të tjerë të nivelit të lartë shkuan me helikopter në Greqinë fqinjë, ku kërkuan strehim politik. Media turke njofton se disa prej personave që u arratisën mendohen të jenë mes arkitektëve të grushtit të shtetit.

Në shtunën në mbrëmje mijëra turq kishin mbushur sheshin Kizilat të Ankarasë, sheshet e Stambollit dhe të qytetit bregdetar të Izmirit, duke hedhur parrulla në mbështetje të Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe qeverisë së tij, pas dështimit të grushtit ushtarak të shtetit.

Turmat e njerëzve valëvisnin flamuj në mitingjet e orëve të vona të natës, me thirrjet për të mos lejuar asgjë dhe askënd që ta përçajë vendin.

Sipas njoftimeve, numri i të vrarëve gjatë përpjekjes për grusht shteti është rreth 265 vetë, mes tyre shumë janë civilë.

Në Stamboll dhe në Ankara gjendja vazhdon të jetë e tensionuar dhe ka njoftime për dhunë sporadike.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan fajësoi për puçin mbështetësit e rivalit të tij kryesor, me banim në SHBA, klerikun mysliman Fethullah Gulen dhe kërkoi të shtunën ekstradimin e tij. Por imami 75-vjeçar, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara shumë kohë para ardhjes në pushtet të zotit Erdogan, e dënoi grushtin e shtetit dhe mohoi të ketë patur rol në këtë revoltë ushtarake.

Një zëdhënës në Uashington tha se Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry bisedoi të shtunën në orët e vona të mbrëmjes me Ministrin e Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu. Zoti Kerry theksoi nevojën që Turqia të respektojë sundimin e ligjit dhe të drejtat e qyetarëve, ndërsa zhvillon hetime lidhur me personat e përfshirë në grushtin e shtetit.

Zoti Kerry i përsëriti Ministrit të Jashtëm turk mbështetjen e Uashingtonit për qeverinë turke të zgjedhur në mënyrë demokratike, por zëdhënsi shtoi se kryediplomati amerikan po ashtu i tha homologut të tij turk se “insinuatat, apo pretendimet lidhur me rolin e Shteteve të Bashkuara në grushtin e dështuar të shtetit janë tërësisht të pavërteta dhe madje të dëmshme për marrëdhëniet dypalëshe.”

Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu bëri një deklaratë, ku i paralajmëronte shtetasit amerikanë që të mos udhëtojnë në Turqi.

XS
SM
MD
LG