Lidhje

Turqia, sulme ajrore ndaj militantëve kurdë


Avionët luftarakë të Turqisë kryen sot sulme të reja ajrore ndaj objektivave të militantëve kurdë, ndërsa një sulm me bombë në një mikrobuz në Turqinë lindore la të vrarë të paktën 12 oficerë policie.

Zyrtarët turq thanë se mbi 40 avionë reaktivë u përfshinë në 6 orë sulme ajrore në Irakun verior. Media shtetërore njoftoi se në këto sulme u vranë rreth 40 luftëtarë nga radhët e Partisë Punëtore të Kurdistanit, PKK, të ndaluar me ligj në Turqi.

Kjo ishte mbrëmja e dytë me sulme ajrore, që kur luftëtarët e PKK-së goditën me bomba një autokolonë, duke vrarë 16 ushtarë turq. Sulmi i ditës së dielë ishte më vdekjeprurësi që kryen PKK që nga korriku, kur dhuna mes të dy palëve e prishi armëpushimin dy-vjeçar.

Bombardimi i sotëm, për të cilin u fajësuan militantët, goditi një autobuz pranë kufirit të Turqisë me Azerbaxhanin.

Turqia filloi një ofensivë të cilësuar anti-terror në fund të korrikut, në Turqinë juglindore dhe Irakun verior.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian paralajmëruan se ndërsa Turqia kishte të drejtën për t’u vetëmbrojtur, duhet të tregojë përmbajtje.

PKK lufton me Turqinë që nga viti 1984, në një konflikt që ka shkaktuar rreth 40 mijë të vrarë. Ky grup konsiderohet si grup terrorist nga Turqia, SHBA dhe BE-ja.

XS
SM
MD
LG