Lidhje

Turqi: Një prokuror hiqet nga çështja


Në Turqi, një prokuror, i cili drejton hetimet për rryshfet dhe korrupsion në nivele të larta, thotë se e kanë hequr nga çështja në fjalë dhe se policia nuk ka pranuar të zbatojë urdhërat e tij për arrestimin e personave të dyshuar.

Zoti Muamer Akkas tha sot se gjyqësori "iu nënshtrua presionit të hapur si nga zyra e prokurorit të përgjithshëm ashtu edhe nga policia gjyqësore, ndërsa ekzekutimi i vendimeve të gjykatës u pengua."

Në hetim janë përfshirë ish politikanë të lartë dhe biznesmenë duke çuar në një riorganizim të kabinetit të Kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan pas dorëheqjes së tre ministrave këtë javë. Njëri prej tyre, ish ministri i Brendshëm, Muamer Guler, e kritikoi hetimin, duke e quajtur "shantazh".

Edhe kryeprokurori publik i Turqisë, Turan Çola-kadi, e hodhi poshtë akuzën e zotit Akkas, duke thënë se prokurorët nuk ishin të autorizuar për të hapur hetime.
Zoti Çola-kadi tha se prokurori Akkas u hoq nga çështja, sepse ai kishte keqpërdorur procedurën dhe kishte nxjerrë informacione për median.

Shkarkimi i zotit Akkas vjen një ditë pasi ai urdhëroi arrestimin e 30 të dyshuarve të tjerë, ku përfshiheshin deputetë të partisë në pushtet dhe biznesmenë. Megjithë riorganizimin e kabinetit dhe dorëheqjet, zoti Erdogan mbetet sfidues. Ai thotë se akuzat për rryshfete po nxiten nga një intrigë e errët ndërkombëtare që ka lidhje me qarqet e larta të policisë dhe të gjyqësorit turk.

Ai ka urdhëruar shkarkimin e dhjetra e punonjësve të policisë që kanë gisht në hetim.
Skandali i tanishëm paraqet kërcënimin më serioz deri tani ndaj pushtetit të zotit Erdogan. Imazhi i tij është dëmtuar tashmë nga një valë protestash anti - qeveritare në muajin qershor.

Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan riorganizoi kabinetin pasi tre ministra dhanë dorëheqjen në lidhje me një hetim për korrupsion në nivele të larta. Zoti Erdogan e ka dënuar hetimin, duke e quajtur komplot të forcave të huaja dhe turke për të penguar begatinë në rritje të vendit dhe për të diskredituar qeverinë e tij.

Tre ministrat e qeverisë dhanë dorëheqjen dje, një ditë pasi djemtë e tyre ishin ndaluar si pjesë e një hetimi për korrupsion, në të cilin autoritetet kanë arrestuar 24 persona.

Z. Erdogan zëvendësoi ministrin e ekonomisë, të brendshëm dhe të mjedisit. Ai zëvendësoi gjithashtu ministrin e ngarkuar për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Gjithësej, zoti Erdogan zëvendësoi 10 ministra ose gjysmën e kabinetit.

"Disa prej ministrave kanë kërkuar të japin dorëheqjen për shkak të zhvillimeve të tanishme, disa të tjerë u larguan pasi do të garojnë në zgjedhjet vendore. Disa nga ndryshimet u bënë me kërkesën time.''

Ndërkohë, protestuesit anti - qeveritare dolën në rrugët e disa qyteteve të vendit.
Ilham Ozdemir banor i Stambollit

"Jam pjesërisht dakord me Kryeministrin, por ishte ai që e bëri policinë dhe gjyqësorin atë që është sot, prandaj nuk duhet të ankohet. E dimë se aktualisht ka një luftë për pushtet, por ne nuk duam të jemi pjesë e saj," thotë ky banor i Stambollit.

Një tjetër banor thotë se dëshiron më shumë mbështetje dhe trysni ndërkombëtare për këtë çështje, duke i bërë thirrje qeverisë që, ose të ndërmarrë ndryshime rrënjësore, ose të japë dorëheqjen e tëra.

Zoti Erdogan e ka denoncuar hetimin e tanishëm për korrupsion si një komplot nga forcat e huaja dhe ato turke për të penguar begatinë në rritje të vendit dhe për të diskredituar qeverinë e tij përpara zgjedhjeve lokale të marsit.

Kritikët e akuzojnë zotin Erdogan se po bëhet gjithnjë e më autoritar, por qeveria e tij ka fituar tre zgjedhje të njëpasnjëshme që nga viti 2002.
XS
SM
MD
LG