Lidhje

Turqia dhe problemi i refugjatëve


Mbërritja në brigjet italiane e dy anijeve pa ekuipazh, të mbushura me mbi një mijë refugjatë, shumica e tyre sirianë, ka vënë në qendër të vëmendjes rolin e Turqisë në trafikimin e njerëzve. Ndërsa mendohet se të paktën njëra prej anijeve ka përdorur Turqinë si bazë për ngarkimin e emigrantëve, Bashkimi Evropian i ka kërkuar Ankarasë të marrë masa për këtë çësthje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Prapa një kafeneje në distriktin e varfër Dolapdere të Stambollit, ku jetojnë shumë imigrantë që përpiqen të shkojnë në Europe, qëndron një "person ndërlidhës". Në zhargonin e trafikimit të njerëzve, ky person lidh imigrantët me kontrabandistët.

Michael, i cili nuk donte ta tregonte emrin e vërtetë, është nga Afrika Perëndimore. Ai thotë se erdhi në Stamboll, si shumë imigrantë nga

Afrika, me idenë për të shkuar në Evropë. Por ai pa se mund të kishte një jetë të mirë këtu. Michael thotë se Stambolli është një nga qendrat kryesore për organizimin e trafikut njerëzor me anije.

"Zakonisht thuhet se është në një udhëtim prej tre muajsh me anije dhe mund të udhëtojnë deri në 600 njerëz. Ky është një biznes i madh. Fitimi është shumë i madh, prandaj janë përfshirë edhe njerëz të rinj në të. Unë kam kontakt me 10-12 persona që merremi me këtë biznes."

Ekspertët thonë se deri kohët e fundit rruga nga Stambolli deri në Greqinë fqinje dhe më tej për në Bullgari, ishte rruga më e përdorur dhe më e lira për emigrantët. Por shtimi i suksesit të forcës së sigurisë Frontex me mbështetjen e BE-së, që u krijua për patrullimin e kufijve të vet, i ka detyruar kontrabandistët ta rimendojnë strategjinë e tyre, sipas ekspertit të imigracionit Ahmet Icduygu në Universitetin Koc të Stambollit.

Zoti Icduygu thotë se Bosfori, një rrugë detare ndërkombëtare që kalon në zemër të Stambollit, ofron një sfidë unike për autoritetet dhe i jep mundësira trafikantëve.

"Kur autoritetet e sigurisë i kushtojnë rëndësi një rajoni dhe marrin masa të ashpra ndaj trafikantëve, këta të fundit, apo vetë imigrantët, krijojnë strategjitë e tyre për t'i kapërcyer këto vështirësi dhe ata zhvendosen nga një rajon në tjetrin. Bosfori është tepër unik. Aktualisht, në këto ujëra ndërkombëtare ka disa kufizime për të ndërhyrë tek barkat nga autoritete turke. Të gjitha barkat njoftojnë çfarë kanë në bord, për shkak se janë ujëra ndërkombëtare. Në se nuk ka prova për ndonjë lloj aktiviteti trafikimi armësh, apo drogash, autoritetet turke nuk mund të ndërhyjnë me kontrolle."

Përgjatë brigjeve të Stambollit, vetëm disa qindra metra larg bregut, ka me dhjetra anije të ankoruara, shumë prje tyre tepër të vjetra. Ekspertët thonë se nuk është diçka e pazakontë që anijet nga e gjithë bota të ndryshojnë pronarët, ekuipazhet dhe kapitenët dhe madje edhe emrat e anijeve dhe të nisen më pas, shpesh me ngarkesa misterioze. Por mbërritja në brigjet italiane e dy anijeve me rreth një mijë emigrantë, ka bërë që Brukseli të kërkojë shpjegim nga Ankaraja, siç e bëri të qartë Natasha Bertaud, zëdhënëse e Komisionit European:

"Duke patur parasysh ato që kanë ndodhur ditët e fundit me dy anijet, ne donim të sqaroheshim me autoritetet turke, tha ajo. Është gjithmonë i njëjti vend nga ku nisen anijet e mallrave, prandaj ky është një prblem që duhet zgjidhur".

Por në kushtet kur kërkesa e Turqisë për t'iu bashkuar Europës është ngrirë, për shkak të kundërshtimit të disa vendeve anëtare, Ankaraja mund të mos jetë e gatshme për bashkëpunim, paralajmëron ekperti i imigracionit, Icduygu:

"Sipas kërkimeve që kam bërë, ka një lidhje tepër të drejtpërdrejtë mes anëtarësimit të Turqisë në BE dhe imigracionit të parregullt. Të paktën rëndësia e tyre për planet e qeverisë turke dhe autoriteteve administrative nuk ka përparësi, si një çështje e rëndësishme. Për burokracinë turke tani i rëndësishëm është trajtimi i çëshjes refugjatëve sirianë."

Një tjetër anije njofton se po largohet nga Stambolli dhe autoritetet turke ndoshta pak njohuri kanë se çfarë lloj malli ndodhet në të, përveç të atij që ka deklaruar kapiteni. Por në kushtet kur në Turqi ndodhen rreth 2 milionë refugjatë sirianë dhe Brukseli i injoron kërkesat e saj që të bëhet më tepër për të ndarë barrën e imigrantëve, Ankaraja tregon pak vëmendje për shqetësimet e BE-së lidhur me numrin në rritje të imigrantëve të paligjshëm.

XS
SM
MD
LG