Lidhje

Turqia shpreh keqardhje për rrëzimin e avionit rus


Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka shprehur keqardhje për rrëzimin e avionit rus, duke thënë se vendi i tij “u hidhërua vërtet” prej incidentit dhe se do të dëshironte të mos kishte ndodhur kurrë.

Duke folur të shtunën në provincën Balisekir, zoti Erdogan tha se shpreson që tensionet ndërmjet Turqisë dhe Rusisë për këtë incident nuk do të rriten, duke shkaktuar pasoja më të mëdha. Ai gjithashtu tha se dëshiron që një gjë e tillë të mos ndodhë sërish në të ardhmen.

Po të shtunën Turqia i këshilloi shtetasit turq të shtyjnë çdo udhëtim jo-urgjent për në Rusi. Kjo është masa më e fundit pas acarimit të marrëdhënieve diplomatike mes të dy vendeve, që u shkaktua pas rrëzimit nga avionët luftarakë turq të një avioni rus të martën.

Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme e Turqisë thonte se e ka lëshuar paralajmërimin e udhëtimit për shkak të “vështirësive” të paspecifikuara me të cilat ndeshen vizitorët dhe banorët turq në Rusi.

Rusia ka reaguar me zemërim pas rrëzimit nga avionët luftarakë turq të avionit rus pranë kufirit me Sirinë, ku Moska është duke ndërmarrë një fushatë ushtarake.

Ajo ka kërcënuar marrëdhëniet midis dy vendeve në anët e kundërta të luftës në Siri, duke shkaktuar shqetësim për një konflikt më të gjerë ndërkombëtar.

Moska ka njoftuar disa masa si hakmarrje ndaj Ankarasë, siç janë kufizimi i udhëtimeve turistike, pezullimi i komunikimeve ushtarake dhe kontrollet e rrepta për importet ushqimore.

XS
SM
MD
LG