Lidhje

Turqia në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës


Turqia është duke vëzhguar nga afër thellimin e krizës në Ukrainë, dhe veçanërisht në Krime, e cila shtrihet vetëm 280 kilometra përgjatë Detit të Zi nga bregdeti i Anatolias. Krimea është strehë për komunitetin turk të Tartarëve, të cilët janë etnikisht dhe gjuhësisht të afërt me turqit e Anatolias dhe janë kundër aneksimit të mundshëm të gadishullit të Krimesë nga Rusia.

Gjatë një demonstrate kohët e fundit në kryeqytetin e Ankarasë, qindra turq me origjinë tartare thërrisnin “të largohen rusët nga Krimea”.

Zafer Karatay, përfaqësuesi turk i Parlamentit Kombëtar të Tartarëve të Krimesë iu drejtua turmës duke dënuar ashpër praninë ushtarake ruse në Krime.

“A po përsëritet historia, pyeti ai. A po dërgohen tartarët e Krimesë dhe turqit e Krimesë përsëri në varre? Ajo që po ndodh sot në Krime na trondit të gjithëve”.

Kjo ishte një nga shumë protestat e organizuara në mbarë vendin nga pakica etnike tartare atje. Shumë tartarë erdhën në këtë rajon nga Rusia, pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane.

Media turke zakonisht përqëndrohet në çështje të brendshme, por thellimi i krizës në Krime po mbulohet gjerësisht nga televizionet.

Ministri i jashtëm turk Ahmet Davutoglu ishte mes politikanëve të parë të huaj që vizitoi Ukrainën dhe Krimenë pas rritjes së tensioneve atje. Davutoglu, i cili u takua me udhëheqësit lokal tartarë të Krimesë, paralajmëroi Moskën se Ankaraja po i ndjek nga afër zhvillimet.

“As mos t’u shkoj mendja se kryeministri dhe presidenti ynë do të jenë indifferent ndaj çdo çështje që ndikon njerëzit tanë në Krime apo kudo në botë, tha ai. Kudo që kemi vëllezër në vuajtje, ne do të jemi të parët që do t’i ndihmojmë me gjithë mundësitë tona”.

Umut Uzer ekspert në Universitetin Teknik të Stambollit thotë se ka një lidhje të fortë mes turqve dhe tartarëve.

"Krimea deri në shekullin e 18 ishte pjesë e Perandorisë Otomane, kështu që është rajoni ynë – ata janë turq, janë myslimanë. Fakti që ministri ynë i Jashtëm shkoi atje dhe u takua me shoqatat e tyre, tregon se ka interesim për fatin e tartarëve të Krimesë."

Turqia është në mesin e fushatës për zgjedhje të rëndësishme lokale. Shumë mbështetës të bazës së partisë AK në pushtet janë nacionalistë dhe janë të ndjeshëm ndaj vuajtjeve të popullit turk në mbarë rajonin. Dhe qeveria po merr hapa për të mështetur pakicëcn tartare. Por profesor Uzer thotë se edhe nëse situata në Krime përshkallëzohet, Ankaraja do ta ndjekë atë me kujdes.

"Do të ketë demonstrata të mëdha pasi kur ka masakrime të turqëve që jetojnë jashtë Turqisë, do të ndizte ndjenjat kombëtare. Do të kishte individë nacionalistë që do të ishin të gatshëm të shkonin atje. Por sot nuk do të prisja që zyrtarët do të mbështesnin ndonjë angazhim ushtarak”.

Tartarët në Krime pritet të lobojnë tek partia AK për mbështetje. Por Turqia varet nga Rusia për furnizimin me energji dhe marrëdhëniet dypalëshe janë tashmë të tensionuara nga situata në Siri. Ministri i Jashtëm Davutoglu është përpjekur të minimizojë tensionet duke thënë se Ankaraja nuk do të lejojë të zhvillohet një krizë me Moskën për Krimenë. Vëzhguesit thonë se Ankarasë do t’i duhet të ndjek një rrugë të kujdesshme ndërsa vazhdon kriza në Ukrainë.
XS
SM
MD
LG