Lidhje

McMaster:Trump ka një strategji më të gjerë amerikane ndaj Iranit


Në Shtetet e Bashkuara, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare H.R. McMaster nuk pranoi të thotë të enjtjen në se Presidenti Donald Trump ka vendosur që SHBA të tërhiqen nga marrëveshja ndëkrombëtare e vitit 2015 për të frenuar Iranin nga prodhimi armëve bërthamore, por shtoi se vendimi do të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit.

Ndërsa McMaster nuk pranoi të jepte hollësi për vendimin, ai tha se Presidenti Trump është “i vendosur” për rinegociimin e disa pjesëve të marrëveshjes, që lidhen me skadimin e afatit të saj dhe me programet e raketave balistike të Iranit.

Presidenti Trump u tha mërkurën gazetarëve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, se kishte marrë vendim për këtë çështje, por nuk pranoi ta bënte atë të njohur. “Do t’ju them unë vetë”, - tha ai.

Të martën Trump e kritikoi marrëveshjen, duke thënë se ajo është një nga transaksionet më të këqia ku kanë marrë pjesë Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja për Iranin u negociua gjatë administratës paraardhëse, asaj të Presidentit Barack Obama. Marrëveshja i vë kusht Teheranit të ndalojë ndërtimin e armëve bërthamore, në këmbim të heqjes së sanksioneve të rënda ekonomike.

Të shtatë nënshkruesit e marrëveshjes me Iranin u takuan të mërkurën në Kombet e Bashkuara. Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, kryeson komisionin e përbashkët që ndjek zbatimin e marrëveshjes.

Mogherini tha se nuk është e nevojshme të rihapet marrëveshja shumëpalëshe, që u nënshkrua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në trajtën e një rezolute ligjërisht të detyrueshme.

"Si europianë, ne do të sigurohemi që marrëveshja të qëndrojë”, - tha ajo.

"Unë mendoj që do të ishte gabim të braktisje marrëveshjen, pa ofruar diçka tjetër”, - tha Presidenti francez Emmanuel Macron, vendi i të cilit është njëri prej nënshkruesve të marrëveshjes.

Takimi i së mërkurës ishte i pari mes Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson dhe homologut të tij iranian, Mohammad Javad Zarif.

Tillerson tha se SHBA kanë shqetësime të rëndësishme për marrëveshjen dhe se ja kanë paraqitur ato vendeve aleate.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG