Lidhje

Administrata Trump dhe politika bërthamore


Presidenti i zgjedhur Donald Trump u shpreh përmes një komenti dje në Twitter se “Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë dhe zgjerojnë kapacitetet e tyre bërthamore, deri në ditën kur botës t’i vijnë mendtë lidhur me armët bërthamore”. Komenti mund të sinjalizojë një prirje drejt një gare armatimesh në administratën e ardhshme, por superfuqia tjetër bërthamore, Rusia, nuk duket e shqetësuar nga këto deklarata:

Ekipi i zotit Trump është përpjekur të sqarojë komentet e presidentit të zgjedhur që u panë nga disa si deklarata shqetësuese për një garë armatimesh. Ndërkohë sot rrjeti televiziv MSNBC njoftoi se presidenti i zgjedhur kishte thënë në komentet për këtë kanal: “Le të fillojë gara e armatimeve. Do t’ua kalojmë të gjithëve në çdo element”. Zëdhënësi i zotit Trump, Sean Spicer, tha se nuk do të ketë garë armatimesh, pasi “vendet e tjera do të vënë mend”. Zëdhënësi i ekipit të tranzicionit për zotin Trump, Jason Miller tha se presidenti i zgjedhur e kishte fjalën për nevojën që të merren masa për të penguar rënien e këtyre armëve në duart e terroristëve apo vendeve të papërgjegjshme.

Zoti Trump nuk ka ofruar kontekst shoqërues për komentet e tij.

Presidenti rus Vladimir Putin u ndal tek kjo temë në konferencën e tij të sotme për shtyp. Ai tha se nuk sheh asgjë të pazakontë në komentet e presidentit të ardhshëm amerikan:

“Kur bëhet fjalë për presidentin e zgjedhur amerikan, zotin Trump, nuk ka asgjë të re në këto komente. Edhe gjatë fushatës ai ka folur për nevojën për të forcuar kapacitetet bërthamore dhe forcat e armatosura amerikane; nuk ka asgjë të re në këto komente,” tha zoti Putin në konferencën e fundvitit.

Komentet e presidentit të zgjedhur amerikan ishin një ndër temat e ngritura dje gjatë konferencës së përditshme për shtyp në Departamentin e Shtetit. Zëdhënësit John Kirby iu drejtua pyetja nëse komente të tilla janë dëshmi e argumenteve të ngritura nga ish-kandidatja demokrate Hillary Clinton se zoti Trump nuk ka temperament të qëndrueshëm për të marrë komandën e armëve bërthamore:

“Nuk më takon mua ta them. Nuk mund të flas për presidentin e zgjedhur apo politikat e tij bërthamore. Këto diskutime i takojnë presidentit të zgjedhur dhe ekipit të tij. Por mund të flas për politikat që ka ndjekur kjo administratë në përpjekje për një botë pa armë bërthamore. Kemi arritur përparime në një numër fushash, së pari duke reduktuar stoqet e armëve bërthamore dhe numrin e platformave lëshuese. Së dyti kemi reduktuar rolin e armëve bërthamore në strategjinë tonë të sigurisë, dhe së treti kemi arritur marrëveshjen me Iranin me synimin për të ndalur përhapjen e armëve bërthamore”.

Marrëveshja me Iranin ka qenë një ndër politikat e administratës aktuale që është kritikuar në mënyrë të përsëritur nga presidenti i zgjedhur, Donald Trump.

XS
SM
MD
LG