Lidhje

Konflikti politik në Turqi rëndon mbi ekonominë


Protestat anti qeveritare që po vazhdojnë prej disa javësh në Turqi i kanë vënë tregjet financiare nën presion. Analistët paralajmërojnë se rritja e pashembullt ekonomike e vendit në dhjetëvjeçarin e fundit është vënë në rrezik, ndërkohë që edhe ekonomia botërore është përballë situatave të pasigurta. Ata vënë gjithashtu në pikëpyetje sinqeritetin e qeverisë turke në favor të tregut të lirë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones nga informon nga Stambolli.

Përballë protestave antiqeveritare si asnjëherë më parë, tregjet financiare të Turqisë janë tronditur rëndë dhe bursa ka rënë ndjeshëm, po ashtu edhe vlera e lirës turke në raport me dollarin ka rënë në nivele të ulta rekord.

Sipas ekonomistit Cengiz Aktar të Universitetit Bahcesehir të Stambollit, rënia e bursës dhe monedhës së Turqisë ishte kaq e madhe sepse ajo përkoi me shitjet e shumta në tregjet e reja pasi Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara sinjalizoi se politika e saj për të dhënë hua pothuajse pa interes eventulisht do të marrë fund.

"Luhatjet në tregjet financiare u shkaktuan kryesisht nga vendmi i Rezervës Federale amerikane. Për fat të keq ato u ndikuan edhe nga zhvillimet në Turqi dhe ky është një lajm i keq. Natyrisht, të gjitha ekonomitë në ngritje janë goditur rëndë nga vendimi i bankës qendrore amerikane. Por ekonomia e Turqisë sëbashku me atë të Afrikës së Jugut ishin ato që u goditën më rëndë”.

Turqia është një nga vendet me shkallën më të ulët të kursimeve në botë dhe mbështetet së tepërmi në investimet e huaja dhe në huatë e marra jashtë vendit për të ruajtur rritjen e saj ekonomike. Analistët thonë se Partia AK në pushtet ka ndjekur politika miqësore për biznesin gjatë dekadës së fundit dhe kjo ka sjellë investime të huaja në nivel rekord për vendin. Kjo ka nxitur edhe rritje të madhe ekonomike që është trefishuar gjatë dekadës së fundit.

Por Inan Demir, kryekonomist i bankës Finansbank të Stambollit, thotë se pretendimi i Kryeministrit Erdogan se institucionet financiare ndërkombëtare qendronin pas protestave antiqeveritare në kuadrin e një konspiracioni kundër Turqisë ngre dyshime shqetësuese për investitorët e huaj lidhur me politikën e qeverisë në të ardhmen.

"Ndoshta ata do të vendosin t’i harrojnë këto deklarata si të bëra në një moment gjaknxehtësie. Ose do t’i mbajnë mend si një shenjë e fortë shkëputjeje të qeverisë së tanishme nga politikat miqësore për biznesin. Por pa asnjë dyshim, këto janë shumë të ndryshme nga politikat me të cilat ata janë mësuar deri tani”.

Sipas Atilla Yesiladas të firmës Global Source Partners, me bazë në Stamboll, qendrimi i investitorëve ndaj Turqisë tashmë ka ndryshuar.

"Një muaj më parë, Turqia ishte vendi më tërheqës ndër tregjet në ngritje. Kur ne diskutonim për Turqinë me investitorët tanë, ne diskutonim mundësi të shumta. Tani Turqia po ndiqet me kujdes për shkak të rreziqeve që përbën”.

Ndjenja ndërkombëtare e rrezikut është me rëndësi për Turqinë, e cila varet shumë në tregjet financiare ndërkombëtare për të marrë hua për të përballuar deficitin buxhetor, një nga më të lartët në botë. Ekonomisti Demir thotë se shkalla e interesit që Turqisë i duhet të paguajë mund të ketë pasoja shumë të rënda për të.

"Nevojat e jashtme të Turqisë i kalojnë 200 miliardë dollarët për 12 muajt e ardhshëm, shumë që korrespondon me më shumë se 25 përqind të prodhimit të brendshëm të Turqisë dhe kjo është një nevojë shumë e madhe e jashtëme nga çdo kënd vështrimi. Nëse trazirat në Turqi vazhdojnë, atëhere huatë nga jashtë do të jenë edhe më të vështira dhe kjo do të kishte pasoja për prodhimin bruto të vendit gjatë tremujorëve të ardhshëm”.

Edhe para trazirave, ekonomia e Turqisë ishte ngadalësuar ndjeshëm, duke shënuar një rritje prej vetëm 3 përqind, nga 8 përqind që ishte një vit më parë. Ekonomisti Aktar paralajmëron se kjo mund të ketë pasoja të mëdha për Partinë AK, nëse vendi kalon në vështirësi ekonomike.

"Kjo qeveri pati sukses për shkak të rritjes ekonomike. Prandaj votuesit mund t’i kthejnë shpinën AK-së nëse ekonomia nuk do të jetë si në gjashtë, shtatë vjetët e fundit”.

Vëshguesit paralajmërojnë se kjo do të ishte shqetësuese për kryeministrin, ndërkohë që vendi është përballë një sërë zgjedhjesh kritike gjatë dy viteve të ardhshme që përfundojnë me zgjedhjet e përgjithëshme në vitin 2015.
XS
SM
MD
LG