Lidhje

Turqi, shpërngulen banorët e Diyarbakirit


Në pjesën juglindore të Turqisë që mbizotërohet nga popullsia kurde, forcat sigurisë kanë luftuar prej disa muajsh kundër separatistëve kurdë të partisë PKK. Luftimet kanë shkaktuar shkatërrim masiv në qytetet e zonës, duke i detyruar qindra mijëra banorë të braktisin shtëpitë e tyre. Kjo është situata edhe në lagjen Sur të qytetit Diyarbakir.

Berivan është një ndër mijëra njerëz të larguar prej luftimeve nga shtëpitë e tyre në lagjen Sur të qytetit Diyarbakir.

Asaj i kanë mbetur vetëm disa fotografi që i kujtojnë shtëpinë ku ka jetuar që në moshën 2-vjeçare. Ajo ëndërron rikthimin.

“Jeta në Sur është tepër e rëndësishme për mua dhe të gjithë banorët. Nuk mundemi ta harrojmë.”

Tek zyra e kryetarit të bashkisë shkojnë mijëra të pastrehë për të kërkuar ndihmë.

Azize Deger Kutlu po e drejton qytetin që kur kryebashkiaku u arrestua me akuza për terrorizëm.

“Vijnë tek ne të gjithë ata që u larguan pa asgjë me vete pas luftimeve dhe konfliktit. Deri më tani, 4400 familje kanë kërkuar ndihmën e bashkisë pasi nuk u ka mbetur asgjë.”

Në një mesazh të filmuar, Kryeministri Davutoglu premtoi t’i japë lagjes Sur madhështinë e zonës historike Toledo, në Spanjë.

Ndërkohë, qeveria ka miratuar një ligj për shtetëzimin e gati 90% të pronave në lagjen Sur.

Krahas shtëpive të marra, janë edhe gjashtë kisha historike.

Udhëheqësi opozitar Selahattin Demirtas, e ka denoncuar këtë lëvizje, duke e quajtur ndëshkim kolektiv. Ndërsa partia në pushtet AK, e refuzon këtë akuzë.

“Është keqkuptuar çështja e shpronësimit. Njerëzit mendojnë se shteti mori pronat e njerëzve, si dhe xhamitë dhe kishat. Nuk është kështu. Nuk ka shpronësim.”

Megjithatë, banorët e lagjes Sur janë skeptiktë. Në mure ende dallohet grafiti i partisë PKK, si dhe vrimat e plumbave të luftimeve.

Pronari i dyqanit të çajit, Mustafa, thotë se edhe ai është i shqetësuar si të gjithë banorët e lagjes Sur.

“Jetesën e fiton aty ku është shtëpia jote. Çfarë do të ndodhë me shpronësimin? Këtu gjendet puna jonë. Çfarë do të bëj tjetër unë në këtë moshë? Portierin?”

Njerëzit vazhdojnë të nxirren nga shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet u thonë se nuk është i sigurtë qëndrimi për shkak të dëmeve të shkaktuara nga luftimet.

Qeveria thotë se kush do të dëshirojë të kthehet do të lejohet. Por, kritikët thonë se premtime të tilla në të kaluarën nuk janë mbajtur.

Të tjerë thonë se qëllimi i vërtetë pas urbanizimit të lagjes Sur është heqja e saj si qendër e nacionalizmit kurd.

Cilado qoftë e vërteta, shumë banorë të Surit vazhdojnë të jetojnë në frikë dhe pasiguri.

XS
SM
MD
LG